Një letër e nënshkruar nga rreth 1 mijë personel shërbimi në Francë, përfshirë rreth 25 gjeneralë të pensionuar, duke paralajmëruar Presidentin Emmanuel Macron se vendi po shkon drejt një “lufte civile”, ka zemëruar qeverinë franceze.
Ministrja franceze e forcave të armatosura, Florence Parly, ka paralajmëruar se çdo person që ka nënshkruar letrën, e që mund të jetë duke shërbyer në ushtri, do të dënohet.
Përmbajtja e letrës
Nënshkruesit pretendojnë se islamikët po marrin pjesë të tëra të Francës dhe kanë paralajmëruar se politikat “e buta” do të rezultonin në kaos që kërkon “ndërhyrjen e miqve tanë në një mision të rrezikshëm të mbrojtjes së vlerave tona civilizuese”, njoftoi agjencia e lajmeve AFP.
Nënshkruesit e letrës paralajmërojnë “disa rreziqe vdekjeprurëse” që kërcënojnë Francën, të tilla si “Islamizmi dhe hordhitë e periferive”, duke iu referuar atyre si periferi të varfra përreth Parisit që janë shtëpia e komuniteteve të mëdha emigrantë nga ish-kolonitë franceze.
Letra flet për një përpjekje për të filluar një “luftë racore” duke shembur statuja të figurave koloniale franceze dhe duke sulmuar aspekte të historisë franceze.
Nënshkruesi kryesor i letrës është Christian Piquemal, një ish-komandant, i cili u arrestua në vitin 2016 në një protestë anti-migrantë.
Letra përfundon duke thënë: “Nuk është më koha për të shtyrë punën, përndryshe nesër lufta civile do t’i japë fund këtij kaosi dhe vdekjesh në rritje – për të cilat ju do të jeni përgjegjës – me numra në mijëra”.
Rëndësia e kohës së publikimit të letrës
Letra, e cila doli më 21 prill – shënon përvjetorin e një përpjekjeje të dështuar grusht-shteti kundër qeverisë së heroit të Luftës së Dytë Botërore, Charles de Gaulle, dhe është kritikuar shumë nga qeveria franceze dhe partitë e Majta, por është miratuar nga Marine Le Pen, sfiduesja e Macron në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.
Reagimet e qeverisë franceze dhe opozitës
Ministrat e qeverisë e kanë dënuar mesazhin, me ministren në krye të forcave të armatosura, Florence Parly, duke shtuar se nëse dikush nga nënshkruesit është ende në ushtri, ata do të dënohen.
E djathta ekstreme Marine Le Pen, e cila ishte sfiduesja kryesore e Macron në zgjedhjet presidenciale të vitit 2017, e ka mbështetur letrën, duke thënë: “Unë ju ftoj të na bashkoheni për të marrë pjesë në betejën e ardhshme, e cila është beteja e Francës”.
Megjithatë, ajo tha që problemet e Francës, në të cilat renditi “fushat e paligjshme, krimi, urrejtja ndaj vetes dhe refuzimi i patriotizmit nga liderët tanë, mund të zgjidhen vetëm nga politika”.
(Arjeta Ibishi, Media dhe Komunikim në UBT)