UBT News

Lushaku-Sadriu ngre shqetësimin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”: Kosova rrezikon të mos i organizojë

Kosova rrezikon të mos jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, për shkak të mos përmbushjes së obligimeve institucionale dhe vonesave në procesin e përgatitjeve.

Për këtë ka ngritur shqetësim shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, gjatë seancës së Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka theksuar se anulimi i takimit të paraparë të mbahej të enjten në Athinë, ku pritej të përcaktoheshin përgjegjësitë për organizimin e lojërave, është një tjetër sinjal shqetësues për të ardhmen e këtij projekti.

Sipas Lushaku-Sadriut, organizimi i Lojërave Mesdhetare do të përbënte një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e sportit, turizmit dhe investimeve në infrastrukturën sportive të vendit.

Ajo ka paralajmëruar se papërgjegjësia institucionale mund ta rrezikojë realizimin e një projekti që do ta vendoste Kosovën në qendër të vëmendjes sportive dhe kulturore, duke sjellë mijëra sportistë dhe vizitorë ndërkombëtarë.

Lushaku-Sadriu ka përmendur edhe shqetësimet e ngritura nga Komiteti Olimpik i Kosovës lidhur me obligimet e papërmbushura nga institucionet, duke kërkuar përgjegjësi dhe angazhim më të madh për realizimin e këtij projekti.

Ajo ka vlerësuar se Kosova nuk duhet ta humbasë këtë mundësi për ndërtimin e sallave, stadiumeve dhe qendrave të reja sportive, të cilat do të kishin ndikim afatgjatë në zhvillimin e sportit në vend.

D.L

Exit mobile version