UBT News

Lumbardh Dellova shkëlqen në debutim: Përfshihet në formacionin e javës në Turqi

Mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës, Lumbardh Dellova, ka ecur me hapa të sigurt drejt suksesit që në ndeshjen e tij të parë zyrtare në futbollin turk. Paraqitja e tij impresione me fanellën e Amedsporit i ka siguruar një vend me meritë në formacionin më të mirë të javës së parë të kampionatit.

Në përballjen ku Amedspori triumfoi me rezultat të thellë 3-0 ndaj Erzurumsporit, 27-vjeçari kosovar ishte një nga figurat qendrore në fushën e lojës. Përveç stabilitetit dhe sigurisë absolute që tregoi në repartin defensiv, Dellova dha një kontribut të drejtpërdrejtë edhe në fazën sulmuese duke asistuar te goli i parë i skuadrës së tij.

Sipas platformës së specializuar të statistikave, Sofascore, Dellova u vlerësua me notën e lartë 8.2. Statistikat e tij gjatë 90 minutave dëshmojnë kontrollin e plotë që pati në lojë: ai kompletoi 72 pasime me një saktësi të lartë prej 91 për qind, si dhe krijoi tri pasime kyçe për bashkëlojtarët e tij.

Kjo paraqitje startuese jo vetëm që e vendos Dellovën në mesin e lojtarëve më të dalluar të raundit të parë në Turqi, por dëshmon edhe formën e tij të shkëlqyer në prag të sfidave të ardhshme si në nivel klubi, ashtu edhe me kombëtaren. /E.A/

 

Exit mobile version