UBT News

Luis Enrique drejt historisë: Fiton Superkupën e 3-të evropiane

Paris Saint-Germain ka triumfuar ndaj Aston Villës me rezultatin 2-1 në finalen e Superkupës së Evropës, një sukses ky që po e dërgon trajnerin Luis Enrique drejt rekordeve të reja në futbollin botëror.

Në këtë përballje, Khvicha Kvaratskhelia hapi serinë e golave për parisienët, Brian Madjo barazoi përkohësisht shifrat për Aston Villën, ndërsa goditja e saktë nga Désiré Doué siguroi fitoren 2-1 dhe trofeun për kampionët në fuqi.

Për timonierin e PSG-së, ky është trofeu i 13-të në krye të gjigantit francez që prej marrjes së drejtimit në verën e vitit 2023. Gjatë kësaj periudhe, spanjolli ka fituar nga tri herë kampionatin dhe Superkupën e Francës, nga dy herë Kupën e Francës, Ligën e Kampionëve dhe Superkupën e Evropës, si dhe një herë Kupën Ndërkontinentale.

Me triumfin e fundit, Enrique arrin kuotën e gjashtë trofeve evropianë në karrierën e tij si trajner (tri Superkupa Evropiane dhe tri Liga të Kampionëve).

Sipas rrjetit të statistikave Opta, me gjashtë trofe evropianë, Luis Enrique u është afruar vetëm dy emrave që qëndrojnë mbi të në historinë e futbollit evropian: Pep Guardiolës me 7 trofe dhe Carlo Ancelottit me 10 sosh. /E.A/

Exit mobile version