UBT News

Lufta e Rusisë, kriza energjetike dhe inflacioni: Pesë historitë kryesore në BE gjatë vitit 2022

2022 do të mbahet mend si një nga vitet më sfiduese në historinë e Bashkimit Evropian, pasi blloku u përball me pushtimin rus të Ukrainës dhe pasojat e tij humanitare dhe financiare. Lufta solli një krizë të thellë energjetike dhe inflacion rekord.

Pushtimi i Rusisë në Ukrainë

BE-ja shpejt dënoi pushtimin e Ukrainës nga Rusia, që filloi më 24 shkurt pas muajsh shqetësimi për grumbullimin e dhjetëra mijëra trupave ruse në kufirin e vend

Që atëherë, BE-ja ka kërkuar vazhdimisht që Rusia të ndërpresë veprimet e saj ushtarake në Ukrainë dhe të tërheqë të gjitha forcat nga territori i saj, duke e quajtur pushtimin “të paprovokuar” dhe “të pajustifikuar”.

Blloku deri më tani ka nxjerrë nëntë paketa sanksionesh për të shkatërruar aftësinë e Moskës për të financuar luftën. Me këto sanksione, BE-ja shënjestroi bankat ruse dhe eksportet e naftës, qymyrit, çelikut dhe drurit në det dhe ndaloi eksportet e çdo materiali nga BE-ja, si ato të teknologjisë, që mund të përdoret nga ushtria.

Lista e individëve dhe subjekteve ruse që u sanksionuan nga Rusia shkoi në mbi 1 mijë e 500, dhe në mesin e të sanksionuarve janë presidenti Vladimir Putin, Ministri i Punëve të Jashtme, Sergej Lavror, zyrtarë të rangut të lartë, oligarkë dhe propagandues. Gjithashtu blloku ka dërguar paketa të shumta ndihme humanitare dhe ushtarake në Ukrainë.

Miliona ukrainasve, kryesisht gra dhe fëmijë, të cilët ikën nga lufta dhe kërkuan siguri në Evropë, iu dha e drejta për të punuar dhe për të shkuar në shkollë.

Kriza e energjisë

Varësia e BE-së nga lëndët djegëse fosile ruse kushtoi shumë. Në përgjigje të luftës në Ukrainë, blloku u zotua të heqë dorë shpejt nga furnizimet ruse me energji. Dhe përkundër se nuk vendosi sanksione ndaj gazit – Rusia furnizoi rreth 40 për qind të gazit natyror të bllokut në vitin 2021, sipas Komisionit Evropian. BE-ja u përpoq të gjente furnizime alternative kur Moska mbylli gazsjellësin Nord Stream 1 për t’u hakmarrë kundër sanksioneve.

Fatih Birol, Drejtor Menaxhues i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, tha se “Evropa është në epiqendrën” e “krizës së parë të vërtetë globale të energjisë” për shkak të varësisë së saj nga energjia ruse.

“Bota nuk ka përjetuar kurrë një krizë energjetike me këtë thellësi dhe me këtë kompleksitet”, tha ai në një intervistë për Euronews.

Për të pasur furnizime adekuate gjatë gjithë dimrit, BE vendosi një plan të kursimit të energjisë, arriti marrëveshje me të ashtuquajturit partnerë të besueshëm për të zëvendësuar karburantet fosile ruse dhe ra dakord të krijojë një platformë të përbashkët blerjeje për gazin në përpjekje për të ulur çmimet.

Komisioni Evropian doli gjithashtu me një plan veprimi të quajtur REPowerEU për t’i dhënë fund varësisë së tij nga karburantet fosile ruse deri në vitin 2027 dhe për të përshpejtuar tranzicionin energjetik që blloku është zotuar të ndjekë për të luftuar krizën klimatike.

Një marrëveshje mbi këtë plan u arrit më 13 dhjetor duke u mundësuar vendeve të BE-së të shfrytëzojnë 225 miliardë euro para të pashpenzuara e që fillimisht ishin destinuar për të ndihmuar ekonomitë e bllokut të rimëkëmbeshin nga rënia e tyre si pasojë e COVID për të përshpejtuar tranzicionin e energjisë dhe për të diversifikuar furnizimet me energji larg Rusisë.

Nga ana tjetër, blloku ‘luftoi’ për të vendosur kufij të çmimeve të naftës dhe gazit. Por pas disa javësh grindje politike, më në fund u arrit një marrëveshje më 19 dhjetor për kufirin e parë të çmimit të gazit.

Inflacioni

Pas dy vitesh ndërprerjesh si pasojë e COVID-19, viti 2022 u përball me rritje të inflacionit në të gjithë globin – por Evropa është prekur veçanërisht, duke i vënë qytetarët e bllokut nën një tendosje të konsiderueshme financiare.

Në Eurozonë, inflacioni vjetor u ngjit në një nivel rekord prej 10.7 për qind në muajin tetor, i nxitur nga kriza energjetike që u përkeqësua si pasojë e luftës së Rusisë në Ukrainë dhe kostot më të larta të ushqimit që rezultojnë nga ndikimi i konfliktit në Ukrainë, një eksportues kryesor i ushqimit në botë.

Në vendet veçanërisht të cenueshme ndaj luhatjeve në tregjet e energjisë, si Estonia dhe Lituania, inflacioni vjetor u rrit mbi nivelin 20 për qind. Çmimi i gazit natyror për konsumatorët familjarë në këto vende u rrit me mbi 100 për qind mes gjysmës së parë të vitit 2021 dhe gjashtë muajve të parë të vitit 2022.

Këto shifra janë shumë më të larta se objektivi i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) për të mbajtur inflacionin vjetor në Eurozonë “afër por nën kufirin 2 për qind”. Në një përpjekje për të ulur inflacionin, BQE-ja shpërtheu me mbi një dekadë të normave të interesit të pandryshuara dhe operoi rritje të shumta midis shtatorit dhe dhjetorit. Megjithëse inflacioni u ul gjatë muajit nëntor, presidentja e BQE-së, Christine Lagarde ka paralajmëruar se mund të mos e ketë arritur ende kulmin në Eurozonë.

Sundimi i ligjit

Në një lëvizje që ishte e paprecedentë në historinë e BE-së, Komisioni Evropian ndezi një mekanizëm të ri kushtëzimi kundër Hungarisë.

Ekzekutivi i BE-së kërkoi që 7.5 miliardë euro në fondet e BE-së për Hungarinë të ngrihen derisa të miratohen një sërë reformash për të adresuar shqetësimet e sundimit të ligjit mbi pavarësinë e gjyqësorit, korrupsionin dhe konfliktet e interesit. Budapesti kishte kohë deri më 19 nëntor për të miratuar 17 reforma që i negocioi me ekzekutivin e BE-së gjatë verës për të shmangur kërcënimet për ngrirje nga Brukseli.

Vlerësimi i Komisionit ishte se “ndërsa një sërë reformash janë ndërmarrë ose janë duke u zhvilluar, Hungaria nuk arriti të zbatojë në mënyrë adekuate aspektet qendrore të 17 masave të nevojshme korrigjuese…siç ishte zotuar” dhe ia referoi çështjen kryeqyteteve të BE-së për votim.

Megjithatë, Hungaria arriti të negociojë një reduktim të fondeve të ngrira të BE-së në 6.3 miliardë euro duke hequr veton për disa dosje që kërkojnë unitet: më shumë ndihmë për Ukrainën dhe vendosjen e një takse minimale globale të korporatave.

Budapesti ka tani dy vjet kohë për të zbatuar reformat e nevojshme për të zhbllokuar fondet.

Skandal parlamentar

Gjatë muajit dhjetor, Brukseli u trondit nga një skandal korrupsioni brenda Parlamentit Evropian, organi i vetëm i bllokut, anëtarët e të cilit zgjidhen drejtpërdrejt nga publiku.

Më 9 dhjetor, policia belge arrestoi nënpresidenten e Parlamentit Evropian, Eva Kaili dhe pesë persona të tjerë pas një “hetimi të gjerë” për korrupsion, pastrim parash dhe organizata kriminale.

Katër nga ta, përfshirë edhe Kailin, u akuzuan dhe u burgosën në Belgjikë nën dyshimet se kanë marrë pagesa “të konsiderueshme” parash nga një shtet i Gjirit Persik, që besohet se është Katari. Qeveria e Katarit mohon përfshirjen dhe zyra e prokurorisë belge nuk do të konfirmojë emrin e vendit.

BE-ja ka mbajtur një qëndrim të fortë kundër atyre që akuzohen si të përfshirë në skandalin e korrupsionit. Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola tha se parlamenti “qëndron me vendosmëri kundër korrupsionit” dhe se nuk do të ketë “mosndëshkim”. Skandali u dënua nga eurodeputetët dhe liderët e BE-së./UBTNews/

Exit mobile version