Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu, ka ngritur sërish alarmin për pasivizimin e adresave në komunat me shumicë shqiptare në Luginën e Preshevës, duke e cilësuar këtë proces si “racizëm” dhe “spastrim të pastër etnik”.
Lutfiu ka bërë të ditur se më 4 gusht 2025 kishte kërkuar nga stacionet policore në Preshevë dhe Bujanoc të dhëna për numrin e adresave të pasivizuara nga janari deri në korrik të këtij viti. Sipas përgjigjes zyrtare që ka marrë më 13 gusht, në këtë periudhë në Komunën e Preshevës janë pasivizuar 174 adresa, ndërsa në Komunën e Bujanocit 26 adresa.
“Dyshoj se të dhënat për Komunën e Bujanocit janë të sakta, ndaj jam në pritje të një përgjigjeje tjetër për ta vërtetuar. Por, sidoqoftë, brenda 7 muajve, në këto dy komuna me shumicë shqiptare janë pasivizuar gjithsej 200 adresa”, ka deklaruar Lutfiu, në rrjetin e tij social në Facebook.
Lutfiu e ka quajtur këtë një proces të qëllimshëm për zbraktjen e shqiptarëve nga trojet e tyre dhe ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga politika shqiptare:
“U bëj thirrje të gjithë akterëve politikë shqiptarë që të mblidhen për t’u koordinuar dhe për të bashkëvepruar”.
Pasivizimi i adresave në Luginën e Preshevës prej vitesh është denoncuar si një formë presioni administrativ, i cili, sipas përfaqësuesve shqiptarë, ka pasoja të drejtpërdrejta në uljen e numrit të banorëve dhe humbjen e të drejtave civile e politike.