UBT News

Lojërat Olimpike përballë Covid-19

Kreu i një sindikate mjekësh në Japoni paralajmëroi të martën se mbajtja e Lojërave Olimpike në Tokio këtë verë, me mijëra njerëz nga e gjithë bota, mund të çojë deri te një situatë e shfaqjes së një lloji “olimpik” të koronavirusit.

Japonia është zotuar se Lojërat Olimpike do të mbahen duke i respektuar masat antiCOVID pas një shtyerje prej një viti, por shteti është në “luftë” me valën e katërt të infeksioneve. Qeveria japoneze po e shqyrton mundësinë për të zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme në pjesën më të madhe të vendit. Në anën tjetër zyrtarët japonezë, organizatorët e Olimpiadës dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar janë të bindur se Lojërat do të vazhdojnë, megjithëse nën masa të rrepta për parandalimin e virusit.

Spektatorët nga vendet e huaja janë ndaluar, ndërsa për ata vendas pritet të merret një vendim në muajin tjetër.

Edhe me këto masa, shqetësimet janë ende të mëdha për fluksin e atletëve dhe zyrtarëve në Japoni. Vetëm 6 përqind e popullsisë kanë marrë së paku një dozë të vaksinës antiCOVID, ndërkaq të vaksinuar plotësisht janë mbi 2 përqind e popullsisë.

Me njerëz nga më shumë se 200 kombe që do të marrin pjesë në Olimpiadë, Lojërat Olimpike që pritet të fillojnë brenda tetë javësh, përkatësisht më 23 korrik, përbëjnë një rrezik, tha Naoto Ueyama, kreu i Unionit të Mjekëve të Japonisë.

“Të gjitha llojet e ndryshme mutante të virusit të cilat ekzistojnë në vende të ndryshme do të përqendrohen dhe do të mblidhen këtu në Tokio. Ne nuk mund të mohojmë mundësinë e një lloji të ri të virusit që potencialisht mund të shfaqet”, tha ai në një konferencë shtypi.

Por Kenji Shibuya, drejtor i Institutit të Shëndetit të Popullsisë në King’s College, i cili kohët e fundit ka ndihmuar fushatën e vaksinimit në Japoni, minimizoi rreziqet specifike në Olimpiadë.


“Mutacioni ndodh kur virusi qëndron në njerëz të imunizuar ose pjesërisht të imunizuar për një periudhë të gjatë kohore. Pra, situata aktuale në Japoni është më e rrezikshme sesa që do të jetë gjatë Lojërave të Tokios, për mendimin tim”, u shpreh Shibuya.

Pritet vendimi për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme

Fillimisht ishte vendosur që gjendja e jashtëzakonshme të hiqej më 31 maj. Por kryeministri Yoshihide Suga do të takohet të premten me ekspertë për të diskutuar rreth mundësisë së zgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme në Tokio, Osaka, Hiogo, dhe Kioto dhe në pesë prefektura tjera.

Anulimi i Lojërave Olimpike 2020

Vitin e kaluar pandemia COVID-19 ndikoi edhe në Lojërat Olimpike. Për shtyerjen e kësaj gare pati njoftuar kryeministri i atëhershëm japonez, Shinzo Abe. Ai kishte thënë se pas një telefonate me kreun e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, kanë arritur marrëveshjen që Lojërat të anuloheshin për shkak të shqetësimeve rreth virusit.

Edhe këtë vit ekziston kërkesa për anulimin apo shtyerjen e Olimpiadës. Kundër kësaj gare është bërë një peticion, i cili mblodhi 400 mijë nënshkrime. Ky peticion iu dërgua shefave të Komitetit Olimpik dhe Paraolimpik, si dhe guvernatores së Tokios, Yuriko Koike./UBTNews

(Melisa Llausha dhe Margarita Llausha, studente të vitit të parë në Media dhe Komunikim)

Exit mobile version