Llapi ka shënuar një fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Malishevës me rezultat 3-2, në ndeshjen e vlefshme për javën e 15-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina arriti të përmbyste disavantazhin e pjesës së parë në stadiumin “Liman Gegaj”, duke regjistruar kështu fitoren e tretë radhazi në kampionat.
Pjesa e parë u dominua nga vendasit, të cilët kaluan të parët në epërsi në minutën e 23-të me golin e Xhemal Ibishit. Megjithatë, reagimi i mysafirëve ishte i menjëhershëm, pasi Fiton Ademi barazoi shifrat në 1-1 pas vetëm dy minutash lojë.
Malisheva arriti të rikthente epërsinë në minutën e 40-të përmes Kreshnik Ukës, duke shkuar në pushim me rezultatin 2-1.
Në pjesën e dytë, Llapi rriti ritmin e lojës dhe krijoi më shumë raste, duke arritur ta kthejë rezultatin në favorin e tij. Fillimisht, Fiton Ademi shënoi golin e tij të dytë personal në minutën e 61-të për 2-2, ndërsa goli i fitores erdhi në minutën e 82-të nga Pjero Skaric, i cili vulosi rezultatin përfundimtar 3-2.
Pas kësaj fitoreje, Llapi ngjitet në pozitën e tetë në tabelë me 14 pikë të grumbulluara, ndërsa Malisheva mbetet në vendin e dytë me 30 pikë. Në xhiron e radhës, Llapi e pret në shtëpi Drenicën, kurse Malisheva luan në udhëtim ndaj Ballkanit. /E.A/
