Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u shpreh se është detyrë e Qeverisë së Kosovës që në kohë krizash tu dal në ndihmë rasteve sociale, por sipas tij, nismat e ndërmarra nga qeveria po i pengon opozita.
Në seancën plenare që po mbahet sot Murati tha se opozita “po bënë filma” duke mos e votuar as Ligjin për pagën minimale, derisa shtoi se pret që kjo e fundit të veprojë njëjtë edhe me Ligjin e pagave.
“Ne kemi nisur një reformë për skemat e asistencës sociale dhe është projekti marrëveshje me Bankën Botërore që po sillet tash e dy herë në Kuvend. Ne si Qeveri qe dy herë tentojmë me sjellë në Kuvend dhe këtu nga deputetët e opozitës pra së fundmi ishin dy grupet parlamentare PDK dhe LDK, refuzohet ajo marrëveshje. Kur po flasim kujt me i ndihmu dhe kush ka nevojë më së shumti, ju po refuzoni. Ne kemi sjell marrëveshjen që zgjeron skemën sociale ju po e refuzoni atë dhe pastaj dilni dhe thoni ‘duhet t’i ndihmojmë qytetarët’, po hajdeni ndihmojeni, votojeni marrëveshjen. Ne e kemi sjell Ligjin për pagën minimale në Kuvend dhe çka ndodh, refuzohet dhe lëshohet salla, nuk ka kuorum, bëhen filma, bëhet thirrje që mos të votohet ky ligj. Votojeni Ligjin për pagën minimale sepse çka bën personat personat që marrin pagë minimale me automatizëm rriten. Ju na keni kërkuar, sjellni pagën minimale, kur e sollën pagën minimale tani nuk e votoni ngjajmë po bënë thirrje për Ligjin e pagave, kemi me sjell Ligjin e pagave prapë njëjtë keni me kundërshtuar sepse këtë e bëni ju vetëm e keni për poenë politik kur vjen çështja me i mbështet qytetarët ju refuzoni”, tha ai.
E ndaj këtyre deklarimeve ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri u shpreh se marrëveshja ndërkombëtare për reformën për asistencë sociale nuk do ta votojnë asnjëherë sepse është e dëmshme.
“Shumicën e keni në parlament dhe mundesh me ndryshu prandaj nuk mundesh me u thirr në atë që është një kriter i cili pra familjet që nuk kanë fëmijë nën moshën 5-vjeçare nuk përfshihen në këtë kategori. Edhe nëse të duhen 2/3, të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare përjashtimisht të kësaj të fundit që keni kërkuar kredi për përkrahje për ndarje të pensioneve që normalisht që nuk e votojmë të gjitha të tjerat i kemi votuar dhe këtë nuk ke me kalu në Kuvendin e Kosovës sepse është e dëmshme”, theksoi ai.
Sa i takon Ligjit të pagës minimale, Tahiri tha se propozimi është i pamjaftueshëm dhe se nuk do të lejojnë një ministër të pandërgjegjshëm me ngritë në këtë mënyrë pagën minimale.
“Sa i përket ngritjes së pagës minimale e kemi theksuar dhe e theksojmë prapë, është e pamjaftueshme, e kemi theksuar dhe në anën tjetër, një ministri të papërgjegjshëm si ti nuk bënë në asnjë rrethanë me ia lejua mundësinë i vetëm me ngrit, me përcaktu pagën minimale qeverisë pa përfshirjen e partnerëve social. Pra, kjo nuk ndodh sepse ju krejt çka kërkoni është ta keni në kompetencë të juaj pa partnerët, pa odat ekonomike dhe akterët tjerë që të vendosni të vetëm ngritjen e pagës minimale dhe kjo nuk do të ndodhë”, u shpreh ai.
Sa i takon Ligjit për trustin edhe njëherë deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu i ka bërë thirrje ministrit Murati të jetë pro këtij ligji dhe mjetet e Qeverisë pastaj t’i fokusojë për t’iu dal në ndihmë rasteve sociale.
“A i ke 61 vota me i kalu ligjet, nuk ke mundur ta bindësh pushtetin, kolegët tuaj, nuk ke punë me opozitën për t’i votuar projektligjet sepse ke problem me paaftësi nuk mundesh me i kalu ligjet nuk ke arrit me i bind deputetët e mazhorancës sepse në Ligjin për Pagën Minimale ke bërë diskriminim të kategorive më të ndjeshme në shoqërinë tonë. Po të japim mundësinë, jepe pro Ligjit për trusin që ata që kanë kursime në trust të kenë mundësi me i tërheq ato mjete e paret e Qeverisë le të fokusohen në kategoritë më të ndjeshme social tek të papunët, pensionistët”, u shpreh ai.