Ish-mbrojtësi anglez i Arsenalit dhe Tottenhamit, Sol Campbell ka thënë se Italia ka treguar futbollin më të mirë në Euro 2020 deri më tani.
Azzurrët përgatiten të përballen me Austrinë në Wembley këtë të shtunë dhe Campbell foli për paraqitjen e kombëtares italiane në fazën e grupeve të Euro 2020.
“Deri më tani, Azzurrët kanë treguar futbollin më të mirë në Kampionatin Evropian”, ka thënë fillimisht Campbell për La Gazzetta dello Sport.
“Roberto Mancini po bën një punë të shkëlqyeshme. Edhe në ndeshjen e fundit, kundër Uellsit, me gjithë tetë ndryshimet, skenari mbeti i pandryshuar”.
Ish-qendërmbrojtësi i Anglisë lavdëroi lojtarët italianë dhe zgjodhi tre emra që i bënë përshtypje ndaj Uellsit.
“Më pëlqen Marco Verratti, ka prekje të rëndësishme. Matteo Pessina është një zbulim, një lojtar i madh. Rafael Toloi bëri gjithashtu mirë”.
“Unë u befasova vetëm nga shansi i shpërdoruar nga Gareth Bale”.
Campbell vazhdoi të shprehte dashurinë e tij për Italinë si një vend dhe ekip.
“E dua Italinë për disa arsye: futbollin, stilin e jetës, kuzhinën, modën, trashëgiminë artistike. Më kujtohet imazhi i Ponte Milvio, në një mbrëmje në Romë tre vjet më parë. Unë u magjepsa nga bukuria e saj”.
“Si ish mbrojtës, më pëlqen mënyra se si interpretohet futbolli. Kur vizitova Sampdorian dhe Milanin, u trajtova shumë mirë. Do të doja një përvojë pune në Itali”, përfundoi legjenda angleze.