UBT News

LDK reagon pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Kërkon qetësi dhe maturi

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur shqetësim të thellë për vendimin dhe përmasën e dënimeve.

Në një komunikatë për media, partia ka bërë thirrje për qetësi, maturi dhe përgjegjësi, duke theksuar se ky është një moment i ndjeshëm për qytetarët e Kosovës.

Në reagim thuhet se liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i sakrificës së brezave, rezistencës politike dhe paqësore të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjes vendimtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s.

Sipas saj, kjo trashëgimi është e përbashkët dhe përgjegjësia për ta ruajtur atë u takon të gjithëve.

“Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj shtetit të së drejtës”, thuhet në komunikatë, ndërsa mbështetet shterimi i të gjitha kanaleve ankimore, përfshirë edhe procedurat e shkallës së dytë.

Në reagim rikujtohen edhe krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nga regjimi i Serbisë, përfshirë vrasjet e civilëve, dëbimet me forcë, dhunën dhe shkatërrimin e vendbanimeve.

“Asnjë aktgjykim, as ky i sotmi, nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Më tej, theksohet se pjesëtarët e UÇK-së “mbrojtën pragun e shtëpisë”, ndërsa qytetarëve u bëhet thirrje që të ruajnë qetësinë dhe maturinë.

Përfaqësuesve politikë u është kërkuar përgjegjësi në fjalët dhe veprimet e tyre, shmangie e tensioneve dhe kontribut në ruajtjen e unitetit qytetar. Po ashtu, është bërë thirrje që forcat politike t’i lënë mënjanë ndasitë dhe të qëndrojnë të bashkuara në këtë periudhë.

Në përfundim, LDK-ja ka theksuar se liria e Kosovës “ka kushtuar shumë” dhe ka bërë thirrje për ruajtjen e shtetit, unitetit qytetar dhe miqësive me aleatët ndërkombëtarë.

“UÇK mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë; dje, sot e përjetësisht”, përfundon reagimi i LDK-së.

D.L

Exit mobile version