Mbrojtësi senegalez, Kalidou Koulibaly, ka insistuar që ai nuk ka hezituar për të nënshkruar me Chelsean, pasi që e kishte ndjerë se ishte momenti i duhur për tu larguar nga Napoli pas plot tetë vitesh në Serie A.
Koulibaly u zyrtarizua te Chelsea javën e kaluar, pasi ky i fundit arriti marrëveshje në regjionin e 40 milionë eurove për mbrojtësin 31 vjeçar.
Senegalezi është tejet i emocionuar nga ideja e të qenit një lojtar kyç në formacionin e trajnerit Thomas Tuchel, ndërsa tregoi se sa afër kishte qenë që të kalojë te Chelsea në vitin 2016.
“Kam kaluar tetë vjet në Napoli, të gjithë më njihnin atje dhe ishim të lumtur që jetonim në Napoli. Pas tetë vitesh, ndjeva se ishte koha për një sfidë të re dhe sapo Chelsea thirri, nuk hezitova. Transferimi te Chelsea thuajse ndodhi më parë në vitin 2016, por tani, në vitin 2022, jam i kënaqur që jam këtu”, tha Koulibaly.
Qendërmbrojtësi ishte i kënaqur kur pa disa fytyra të njohura si Jorginhon dhe bashkatdhetarin Edouard Mendy, ku zbuloi se si ata ishin në kontakt të vazhdueshëm ndërsa ai ishte më afër përfundimit të një lëvizjeje te Chelsea.
“Unë flas shumë me ata të dy, Jorginho më dërgoi mesazhe dhe më pyeti nëse doja të vija në Chelsea! Në atë kohë, nuk isha i sigurt nëse më donin, por sigurisht, thashë se do të vija me kënaqësi. Kështu ishte edhe me Mendyn, ai më bëri pyetjen dhe unë i thashë se ishte bërë tashmë dhe do ta shihja së shpejti! Tani jam këtu, jam shumë i lumtur që filloj këtë udhëtim emocionues”, tha Koulibaly.
Kalidou Koulibaly arriti që përgjatë tetë viteve te Napoli të bëjë 316 paraqitje në të gjitha garat, duke regjistruar 14 gola dhe tetë asistime mbi emrin e tij.