Me 66 vota për, 32 kundër dhe 5 abstenime, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Pas votimit në lexim të parë, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, propozoi që shqyrtimi i projektligjit në lexim të dytë të bëhet me shmangie nga afatet e rregullta procedurale.
Sipas propozimit të saj, amendamentet në projektligj duhet t’i dorëzohen Komisionit për Buxhet deri më 18 shkurt në ora 16:00, ndërsa komisionet parlamentare deri më 19 shkurt në ora 12:00 duhet ta shqyrtojnë projektligjin dhe raportet me rekomandime t’ia paraqesin Komisionit funksional për Buxhet.
Tutje, Komisioni për Buxhet deri më 19 shkurt në ora 24:00 pritet të paraqesë raportin me rekomandime për shqyrtim të dytë në seancën plenare, ndërsa shqyrtimi i dytë i projektligjit është paraparë të mbahet më 20 shkurt në ora 11:00.
