Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka pranuar kërkesën e Avokatit të Popullit e Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe ka rrëzuar përgjimin nga policia pa lejen e Prokurorisë.
Kushtetuesja në seancën e datës 01.07.2021 mori në shqyrtim çështjen me kërkues Avokatin e Popullit dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit, me objekt shfuqizimi i nenit 131 të Ligjit për policinë e shtetit, të ndryshuar, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe pezullimi i zbatimit të nenit 131 të Ligjit për policinë e shtetit, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se neni 131, i lidhur me nenin 6, pika 29/1, i ligjit për policinë e shtetit, të ndryshuar, vendos kufizim të së drejtës kushtetuese të jetës private, duke mos respektuar kriterin kushtetues “vetëm me ligj”, sipas nenit 17 të Kushtetutës, pasi ligji nuk rregullon në mënyrë shteruese dhe të qartë “masat e veçanta”, që zbaton Policia e Shtetit, duke prekur njëherazi edhe parimin e sigurisë juridike në drejtim të saktësisë së ligjit dhe koherencës së rendit juridik.
Për këto arsye Gjykata Kushtetuese vendosi pranimin e kërkesave, shfuqizimin e nenit 6, pika 29/1 dhe të nenit 131 të ligjit për policinë e shtetit, të ndryshuar, si dhe pezullimin e zbatimit të nenit 131 të ligjit për policinë e shtetit, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese./tch