UBT News

Kusari-Lila: Çmimet e derivateve mund të bien, por jo në mënyrë të ndjeshme

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se çmimet e derivateve në Kosovë mund të shënojnë ulje në ditët në vijim, por rënia pritet të jetë e vogël.

Në një intervistë për “Ekonomia Online”, ajo tha se importi i naftës ka shënuar një rënie të lehtë dhe, nëse ky trend vazhdon, mund të ketë ulje prej një deri në dy centë për litër.

Kusari-Lila bëri të ditur se MINTI po shqyrton vazhdimin e masës për përcaktimin e çmimit maksimal dhe marzhës së fitimit për operatorët e derivateve, duke vlerësuar se kjo masë ka ndihmuar në frenimin e rritjeve të menjëhershme të çmimeve.

Sipas saj, pa këtë masë, çmimi i naftës mund të ishte edhe më i lartë, për shkak të rritjes së kërkesës gjatë sezonit veror dhe numrit më të madh të automjeteve që hyjnë në Kosovë.

Ajo tha se ministria po shqyrton edhe ndryshimin e mënyrës së përcaktimit të çmimeve të derivateve, ndërsa paralajmëroi takim me përfaqësuesit e naftarëve, të cilët kanë kërkuar heqjen e kufizimit të marzhës së fitimit.

Kusari-Lila theksoi se vendimi duhet të balancojë mbrojtjen e konsumatorëve dhe interesat e bizneseve të këtij sektori./A.K/

Exit mobile version