UBT News

Kurti tha se s’ka më mini-Schengen, por Rama, Vuçiqi dhe Zaevi nesër vazhdojnë me këtë projekt

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të marrë pjesë nesër përmes një paraqitje me video në një konferencë për “mini Schengenin”. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq si dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, do të marrin pjesë gjithashtu në takim, raporton REL.

Rama, Vuçiq dhe Zaev e kishin nënshkruar një deklaratë në Novi Sad të Serbisë në tetor të vitit 2019 mbi krijimin e një “mini-Schengeni” midis tre vendeve. Një ftesë për t’u bashkuar në këtë iniciativë u dërgua edhe në Kosovë, Mal të Zi dhe Boznje.

Si rezultat i marrëveshjes brenda këtij projekti, nga fillimi i këtij viti, nga Shqipëria në Serbi dhe anasjelltas mund të kalohet vetëm me kartë identiteti.

Kosova u zotua në marrëveshjen e Washingtonit për t’iu bashkuar iniciativës së “mini-Schengenit”, por Albin Kurti, kryeministri aktual i Kosovës, që nga fillimi e ka pozicionuar veten si kritik i mprehtë i këtij projekti. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është në të njëjtën linjë.

Në Samitin e fundit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Kurti madje deklaroi se “mini-Schengeni” nuk ekziston më. 

“Nuk ka më mini-Schengen, ka treg të përbashkët rajonal dhe këtë e ka marrë Procesi i Berlinit, që do ta ketë takimin e radhës në gjysmën e parë të korrikut”, ishte shprehur Kurti.

Exit mobile version