UBT News

Kurti takon Macron në Paris: Franca mbështet integrimin evropian të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elize në Paris.

Presidenti Macron e uroi Kurtin për rizgjedhjen dhe mandatin e ri, ndërsa Kurti shprehu falënderim për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës.

Në takim u diskutua për integrimet evropiane, sigurinë dhe bashkëpunimin bilateral, ku u theksua edhe roli i NATO-s në Kosovë përmes KFOR-it dhe misioneve të Bashkimit Evropian.

Kurti, sipas komunikatës, theksoi se “Kosova mbetet e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së”, duke përmendur edhe progresin në reformat e brendshme.

Ai shtoi se vendi ka shënuar “progres në 35 nga 38 fusha”, sipas Raportit të fundit të BE-së, dhe kërkoi mbështetjen e Francës për integrimin evropian dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Në takim u diskutua edhe për dialogun Kosovë–Serbi në Bruksel, sigurinë rajonale, si dhe forcimin e bashkëpunimit me aleatët euroatlantikë.

Po ashtu, palët folën për investimet në arsim dhe organizimin e forumeve të reja të biznesit Kosovë–Francë, pas forumit të mbajtur në shkurt në Prishtinë, si dhe për përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030 në Kosovë.

Në takim morën pjesë edhe zyrtarë të lartë francezë dhe diplomatë të Kosovës, ndërsa u konfirmua përkushtimi për thellimin e partneritetit mes dy vendeve.

Exit mobile version