Në kuadër të ditës së dytë të Konferencës së Sigurisë në Mynih, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim bilateral me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković.
Në takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić-Radman.
Kryeministri Plenković e uroi homologun e tij për formimin e qeverisë së re, ndërsa gjatë takimit u diskutua për situatën në rajon, çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, bashkëpunimin bilateral si dhe luftimin e krimit të organizuar.
Pas takimit, Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e partneritetit me Kroacinë.
“Me Kroacinë ndajmë vlera të përbashkëta euroatlantike dhe një vizion të qartë për stabilitetin dhe sigurinë në rajon. E vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme të Zagrebit për integrimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve mund të thellohet edhe më tej.
“Diskutuam për rritjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe për mundësinë e organizimit të një mbledhjeje të përbashkët mes dy qeverive tona në të ardhmen e afërt”, deklaroi Kryeministri.
Gjatë bisedës u theksua se Kroacia mbetet një nga përkrahëset e fuqishme të Kosovës në proceset integruese euroatlantike, përfshirë anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian.
