Në kuadër të Samitit të Komitetit Politik Evropian (EPC) që po mbahet në Armeni, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim dypalësh me Kryeministrin e Luksemburgut, Luc Frieden.
Fokusi i bisedës ishte bashkëpunimi ekonomik dhe përkrahja e Luksemburgut për proceset integruese të Kosovës. Kurti shfrytëzoi rastin për të falënderuar homologun e tij për ndihmën e vazhdueshme, duke vënë në pah mbështetjen e fundit financiare prej 50 milionë eurosh, e cila është dedikuar për forcimin e institucioneve dhe sektorin e shëndetësisë.
Gjatë takimit u diskutua edhe për aspiratat e Kosovës në arenën ndërkombëtare, specifikisht për kërkesën për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe hapat drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
“Përkushtimi i Luksemburgut ndaj forcimit të kapaciteteve tona institucionale dhe mirëqenies së qytetarëve tanë është një dëshmi e partneritetit tonë të fortë,” ka deklaruar kryeministri në detyrë Kurti gjatë bashkëbisedimit me Frieden.
Në mbyllje të takimit, të dy liderët riafirmuan gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe koordinimin e mëtejshëm në forumet ndërkombëtare, ku Luksemburgu mbetet një nga mbështetësit kryesorë të Kosovës në rrugën e saj evropiane.
