UBT News

Kurti: Mungesa e unitetit me Komunën e Prishtinës po e rrezikon organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se mungesa e unitetit institucional dhe mospajtimet me Komunën e Prishtinës po e vështirësojnë organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Për këtë ka folur Kurti, i cili ka bërë të ditur se bashkëpunimi me Komitetin Olimpik të Kosovës është shumë i mirë, por situata është ndryshe në raport me Komunën e Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

Gjatë deklarimit të tij, Kurti ka kritikuar edhe përplasjet publike pas mbledhjeve të Këshillit Organizativ, duke theksuar se vendimet dhe diskutimet e brendshme nuk duhet të shoqërohen me akuza dhe sulme mes palëve.

Ai ka thënë se vazhdon të jetë optimist për mbajtjen e lojërave, por e ka cilësuar optimizmin e tij si të përmbajtur, për shkak të mospajtimeve dhe mungesës së bashkëpunimit institucional.

“Ne duhet të jemi unikë për këtë gjë dhe kjo mungesë e unitetit të brendshëm na ka sjellë në këtë pikë, kur edhe po rrezikohet organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i Qeverisë e ka cilësuar fitore të madhe faktin që Kosova ka marrë përsipër organizimin e kësaj ngjarjeje sportive, duke përmendur përfshirjen e dhjetë komunave të Kosovës dhe të Durrësit nga Shqipëria në projekt.

Ai ka theksuar se planifikimet për investime dhe projekti mbi të cilin Kosova ka fituar të drejtën e organizimit duhet të zbatohen në tërësi, ndërsa ka pranuar se mes palëve ka dallime, mospajtime dhe mungesë besimi.

“Do ta bëjmë më të mirën e mundshme, por do ta bëjmë me çdo kusht, pa korrupsion”, ka përfunduar Kurti.

D.L

Exit mobile version