UBT News

Kurti merr pjesë në mbledhjen e parë të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë këtë të martë në mbledhjen e parë me Komitetin Organizativ të Lojërave Mesdhetare.

Takimi do të zhvillohet në Ndërtesën e Qeverisë, përkatësisht në sallën P-38, duke filluar nga ora 11:00.

Siç bëhet e ditur nga Zyra e Kryeministrit, mediat do të kenë mundësi të marrin pamje në fillim të këtij takimi të rëndësishëm që shënon fillimin e përgatitjeve për organizimin e kësaj ngjarjeje madhore sportive.

Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 shënojnë ngjarjen më të madhe multisportive që është organizuar ndonjëherë në Kosovë. Vendimi u mor zyrtarisht në shtator të vitit 2023 nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare, i cili ia besoi Prishtinës rolin e qytetit mikpritës për edicionin e 21-të të këtij kompeticioni.

Kjo ngjarje do të mbledhë mijëra sportistë nga 26 shtete të tre kontinenteve (Evropë, Azi dhe Afrikë), të cilët do të garojnë në dhjetëra disciplina të ndryshme sportive. Për shkak se Kosova nuk ka dalje në det, garat e sporteve ujore detare do të zhvillohen në bashkëpunim me Shqipërinë, përkatësisht në bregdetin e Durrësit.

Organizimi i këtyre lojërave konsiderohet një arritje madhore shtetërore dhe diplomatike, si dhe një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillimin e infrastrukturës moderne sportive në gjithë vendin. /E.A/

Exit mobile version