Trajneri i ekipit kosovar të xhudos, Driton Kuka së bashku me kampionen olimpike Majlinda Kelmendi, kanë vizituar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në paraburgim nga Dhomat e Specializuara me pretendimet për krime lufte.
Përmes një postimi në Facebook, Kuka tregoi se çfarë biseduan me ish-krerët e UÇK-së.
“Sot dhe dje së bashku me Majlindën përfunduam vizitat me krerët e UÇK-së. Me secilin patëm biseda e shpalosje për ngjarjet historike të popullit tonë. Biseduam edhe për sfidat tona në sport tash e në të kaluarën” shkroi Kuka.
Po ashtu, trajneri më i mirë i xhudos në botë theksoi se sikurse të gjithë qytetarët e Kosovës, edhe ai e Majlinda besojnë fuqishëm në pafajësinë e tyre.
“Të fortë, të qëndrueshëm, pozitiv dhe të motivuar për të dalë të pafajshëm, fillimisht ata, e më pas UÇK-ja dhe Republika e Kosovës, nga ky proces i padrejtë gjyqësor. Unë dhe Majlinda, njëjtë si qytetarët e Kosovës, besojmë fuqishëm në pafajësinë e tyre”, shkruan më tej Kuka.
Kuka dhe Kelmendi nuk janë vizitorët e vetëm të ish-krerëve të UÇK-së. Të njëjtit kohë më parë janë vizituar edhe nga klerikët fetarë, ish-presidentët dhe kryeministrat shqiptarë, vetë kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si dhe deputetë e përfaqësues institucionalë.