Në nderim të figurës së këngëtarit të njohur Ismet Peja, kryeministri Avdullah Hoti dhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi kanë bërë homazhe për artistin e këngës përpara objektit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku është vendosur fotografia e këngëtarit të ndjerë.
Kryeministri Hoti dhe ministrja Dumoshi janë nënshkruar në librin e kujtimeve duke e vlerësuar lart jetën dhe veprën e Ismet Pejës, i cili u nda sot nga jeta në moshën 83 vjeçe.
Kryeministri Hoti tha se bashkë me ministren Dumoshi bënë nderime për ikonën e muzikës popullore gjithëshqiptare, Ismet Peja.
“Ismet Peja do të mbahet mend për këngët e tij, të cilat nuk ka shqiptar që nuk i di, jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha trojet shqiptare. Ai ka hyrë në historinë artistike të Kosovës, sepse ne të gjithë jemi rritur me këngët e tij”, deklaroi ai.
Kryeministri tha se sot është një ditë e dhimbshme për familjen e tij dhe tërë komunitetin artistik shqiptar.
“Ne do ta kujtojmë gjithmonë”, u shpreh kryeministri.
Ndërsa ministrja Vlora Dumoshi, ka thënë se lajmi i mëngjesit për vdekjen e Ismet Pejës, ishte i trishtë sepse u nda nga kjo jetë doajeni i muzikës popullore.
“Unë si ministre kam kontaktuar me familjen e tij dhe ne si ministri do të përkujdesemi për ceremoninë në Gjakovë. Në orën 14:30 do të jenë homazhet dhe në ora 15:00 varrimi”, sqaroi ministrja.
“Ndonëse kohë pandemie, ne po tregojmë respektin institucional për artistin e madh e cili ka dhënë shumë për kultivimin e këngës së mirëfilltë popullore”, tha ministrja./UBTNews