Ish-mesfushori i njohur gjerman, Toni Kroos, ka dalë hapur në mbështetje të Cristiano Ronaldos pas vendimit të kyçit portugez për të refuzuar një ndeshje lamtumirëse të propozuar nga Federata e Futbollit e Portugalisë.
Kroos ka kritikuar ashpër mënyrën se si po trajtohet pesë herë fituesi i “Topit të Artë” nga rrethi i kombëtares, përfshirë trajnerin dhe disa nga bashkëlojtarët.
“Jam i lumtur me vendimin e Cristiano Ronaldos. Sinqerisht, pas gjithçkaje që ka arritur për Portugalinë, nuk mendoj se ai i detyrohet dikujt një ndeshje lamtumirëse. Ajo që më zhgënjen është se si dikush që i ka dhënë kaq shumë vendit të tij mund të përfundojë duke u ndier i parespektuar nga njerëzit që duhet ta vlerësojnë”, deklaroi Kroos.
Gjermani nënvizoi se sakrificat dhe arritjet historike të Ronaldos me përfaqësuesen portugeze, duke rikujtuar trofetë e fituar dhe ndikimin e tij te brezat e rinj.
“Cristiano ka bërë sakrifica gjatë karrierës së tij, ka thyer rekorde dhe e ka udhëhequr Portugalinë në momente të vështira. Nuk mund t’i fshish të gjitha ato kontribute për shkak të një mosmarrëveshjeje apo sepse disa njerëz në dhomat e zhveshjes nuk e shohin më në të njëjtën mënyrë. Ajo që e kam të vështirë ta kuptoj është qëndrimi i disa njerëzve rreth kombëtares, përfshirë trajnerin dhe disa lojtarë. Respekti nuk duhet të varet kurrë nga fakti nëse je titullar apo qëndron në stol”, shtoi tutje ai.
Sipas Kroos, refuzimi i ceremonisë festive është një mesazh i fuqishëm nga ana e sulmuesit portugez.
“Mendoj se refuzimi i ndeshjes lamtumirëse dërgon një mesazh të fuqishëm. Cristiano nuk ka nevojë për një ceremoni nga njerëzit që e kanë bërë të ndihet i padëshiruar. Po të isha në vendin e tij, ndoshta do të merrja të njëjtin vendim. Portugalia duhet të jetë mirënjohëse për gjithçkaje që ai ka bërë, në vend që ta bëjë të ndihet sikur duhet të lutet për t’iu njohur meritat”, përmbylli Kroos. /E.A/
