Kryediplomati i Bashkimit Evropian tha të hënën se do t’u shkruajë të gjithë ministrave të jashtëm afrikanë për të shpjeguar shkakun e krizës globale të ushqimit dhe për t’iu kundërvënë propagandës ruse.
Duke folur në një konferencë shtypi pas një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së në Luksemburg, Josep Borrell tha se siguria globale e ushqimit nuk është rrezikuar nga sanksionet e BE-së, por për shkak se Rusia po bllokon dërgesat e drithërave nga portet e Detit të Zi dhe po shkatërron të korrat.
“Ne po përsërisim dhe duhet të paralajmërojmë përsëri për rrezikun e një zie të madhe buke në botë, veçanërisht në Afrikë. Dhe është lufta ajo që po krijon rritje të çmimeve, mungesë energjie dhe ushqimi“, tha ai.
Bashkimi Afrikan ka thënë se sanksionet ndaj Rusisë, veçanërisht përjashtimi i saj nga mekanizmi ndërkombëtar i pagesave SWIFT, po pengon disa vende anëtare të blejnë produkte ushqimore.
“Dua të insistoj se nuk janë sanksionet evropiane ato që po krijojnë këtë krizë. Sanksionet tona nuk synojnë ushqimin, nuk synojnë plehrat. Kushdo që dëshiron të blejë ushqime dhe plehra ruse, mund ta bëjë këtë, nuk ka pengesa. Aktorët ekonomikë duhet të dinë se këto produkte nga Rusia janë jashtë fushëveprimit të sanksioneve tona, kështu që ata mund të operojnë, ata mund të blejnë, ata mund të transportojnë, ata mund ta sigurojnë atë“, tha Borrell.
Ai argumentoi se problemi vjen nga bllokada ruse e grurit të Ukrainës.
“Miliona ton grurë po bllokohen dhe miliona njerëz nuk do të mund ta hanë këtë grurë. Pra, lufta do të ketë pasoja dramatike për botën. Ne i bëjmë thirrje Rusisë të zhbllokojë portet dhe të lërë këto produkte të shkojnë“, tha zyrtari i BE-së.
Moska thotë se sanksionet perëndimore mbi industritë e saj bankare dhe të transportit janë fajtorë për mungesën e ushqimit. /UBTNews/