UBT News

Kriza e zjarreve në Francë e Spanjë: Ushtria në terren, mbi 300 mijë banorë lënë shtëpitë

Zjarret masive vazhdojnë të shkaktojnë kërdi në Evropën Jugore, ku mbi 300,000 banorë në Francë dhe Spanjë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. Kushtet e vështira atmosferike, me temperatura të larta dhe erëra të forta, po pengojnë ndjeshëm punën e ekipeve të emergjencës.

Në jugperëndim të Francës, situata mbetet kritike teksa flakët po i afrohen qytetit të Bordosë. Vetëm të shtunën mbrëma u urdhërua evakuimi i 55,000 personave të tjerë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të zhvendosurve në rreth 250,000 në rajonet Gironde dhe Landes. Për të përballuar krizën, autoritetet franceze kanë mobilizuar ushtrinë, e cila po ndihmon zjarrfikësit në hapjen e brezave mbrojtës dhe pastrimin e shkurreve për të ndaluar përparimin e zjarrit.

Presidenti Emmanuel Macron premtoi se shteti do të qëndrojë pranë qytetarëve dhe se çdo zonë e dëmtuar do të rindërtohet, ndërsa pushuesit e larguar nga zona e Bordosë i kanë përshkruar përmasat e flakëve si “të frikshme”.

Në Spanjë, ku është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, zjarret vazhdojnë të kërcënojnë zonat përreth Madridit. Ndonëse një përmirësim i lehtë i motit ndihmoi përkohësisht zjarrfikësit, Ministri i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska, e cilësoi situatën si “komplekse” dhe u shpreh më pesimist për shkak të erërave që pritet t’i shtyjnë flakët drejt jugut. Kryeministri Pedro Sanchez paralajmëroi se vendin e presin “ditë të vështira”. Ndërkohë, në Valencia është konfirmuar viktima e parë: një burrë i moshuar u gjet i pajetë brenda makinës së tij në Manises, teksa po i ikte zjarrit.

Alarmante paraqitet situata edhe në Itali, ku në ishullin e Sicilisë janë regjistruar më shumë se 350 vatra zjarri — 10 prej të cilave masive — duke detyruar Mbrojtjen Civile të ndërmarrë evakuime të menjëhershme.

Foto: Associated Press

Exit mobile version