Polemikat rreth pezullimit të dënimit të sulmuesit amerikan, Folarin Balogun, kanë marrë një kthesë dramatike. Mediat më të fuqishme botërore, duke u bazuar në një hulumtim të “The Times”, kanë zbuluar se vendimi për të lejuar Balogunin të luante ndaj Belgjikës – ndonëse në ndeshjen paraprake u ndëshkua me karton të kuq direkt – u mor ekskluzivisht nga kryetari i Komisionit Disiplinor të FIFA-s, Mohammad Al-Kamali, pa përfshirjen e 17 anëtarëve të tjerë të komisionit. Ky zbulim ka goditur rëndë integritetin e procesit disiplinor të FIFA-s, pasi rregullorja përcakton se kartoni i kuq sjell mungesë automatike në ndeshjen pasuese.
Balogun u ndëshkua me të kuq në ndeshjen ndaj Bosnjë-Hercegovinës dhe duhej të mungonte në fazën nokaut të Botërorit kundër Belgjikës. Megjithatë, Al-Kamali e ktheu pezullimin në dënim me kusht për një vit. Ky vendim skandaloz erdhi menjëherë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i kërkoi personalisht kreut të FIFA-s, Gianni Infantino, rishikimin e rastit. Ndonëse SHBA-ja u eliminua duke humbur 4:1 nga Belgjika (me Balogunin në fushë), rasti mbetet një nga pikat më të errëta të turneut. Trump e mbrojti ndërhyrjen e tij duke thënë se thjesht kërkoi rishikim pasi nuk i u duk faul, ndërsa arbitrin brazilian të ndeshjes e quajti “pak të dyshimtë”.
Në anën tjetër, Infantino ka mohuar çdo ndikim, duke insistuar se organet gjyqësore të FIFA-s janë të pavarura dhe autonome. Megjithatë, dyshimet janë shtuar pasi “Fox Sports” raportoi se nga më shumë se 100 raste të ngjashme ku vendimet merren nga një anëtar i vetëm (zakonisht zëvendëskryetari Jorge Palacio), kjo ishte hera e parë që Al-Kamali veproi si vendimmarrës i vetëm. Ky veprim ka nxitur reagime të ashpra nga UEFA dhe personalitete të shumta të futbollit, ndërsa vetë FIFA ka refuzuar të publikojë arsyet zyrtare të këtij ndryshimi, duke shtuar edhe më tej dyshimet për favorizim politik. /D.L/
