Në 25-vjetorin e vdekjes së humanistes së shquar shqiptare, krerët e shtetit kanë bërë homazhe tek te shtatorja e Nënë Terezë, në Prishtinë, ku kërkuan që të ndiqet shembulli i saj.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se Shën Tereza la shembullin e saj që duhet ndjekur gjeneratat që vinë.
“Sot përkujtojmë me shumë krenari gjithë veprën e saj, gjithë misionin e saj dhe shembullin që la pas për gjeneratat që vinë duke treguar se janë dashuria, respekti, ndihma ndaj njëri-tjetrit që duhet gjithnjë të jenë dritë udhërrëfyese në punën tonë të përditshme”, tha ajo.
Kryetari i Kuvendit tha se Shën Tereza është shembulli më i sigurt i devocionit. Ai po ashtu tha se ajo ka qenë gjithmonë afër popullit dhe kur ka qenë nevoja, ajo gjithmonë e ka ngritur çështjen e Kosovës.
“Po e kujtojmë simbolin e rëndësishëm të kombit shqiptar por edhe të mbarë botës, Nënën Terezë, e cila është shembulli më i sigurt i devocionit, i besimit të vërtete dhe i humanizimit. Shembulli i saj ka inspiruar miliona njerëz anekënd botës, por mos të harrojmë që të njëjtën kohë Shën Tëreza, kurrë nuk e harroi kombin shqiptar. Ajo gjithmonë ka qenë afër popullit tonë, në ditët tona më të vështira dhe tek udhëheqësit më të njohur botërorë edhe kur ka qenë nevoja, ajo gjithmonë e ka ngritur çështjen tonë”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Nën Tereza u bë nëna e gjithë botës, derisa shtoi se në këtë mënyrë ajo afirmoi edhe kombin shqiptar.
“Jeta e Nënës Terezë është vepra për gjithë njerëzimin dhe shembull për njeriun. Nga një bijë e popullit tonë, ajo u bë nëna e gjithë botës dhe sot ne teksa e kujtojmë atë dhe e nderojmë figurën e saj, njëkohësisht edhe e afirmojmë shembullin që duhet ndjekë gjithsecili, duke punuar me dashuri dhe sakrificë për të mirën e të gjithëve. Nëna Terezë dha gjithçka nga vetja e saj dhe nuk i mori asgjë botës, në këtë mënyrë ajo afirmoi edhe kombin tonë, sepse sakrifica është vlerë tradicionale e popullit shqiptar”, tha ai.
Institucionet e vendit, sot kanë organizuar një serë aktivitetesh për ta kujtuar vdekjen e saj.