Qendra Multimedia nga Prishtina, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe Qendrën M.A.M, do të sjellin për herë të parë në Tiranë ngjarjen më të madhe teatrore në rajon, “Kosovo – Albania Theatre Showcase – 2024”.
Ngjarja do të zhvillohet nga data 29 tetor deri më 2 nëntor, duke mbledhur mbi 80 mysafirë ndërkombëtarë, përfshirë selektorë festivalesh, kritikë, gazetarë dhe profesionistë të teatrit nga e gjithë bota, përfshirë Amerikën, Gjermaninë, Francën, Itali, dhe shumë vende të tjera. Programi do të përfshijë një gamë të gjerë aktivitetesh, përfshirë shfaqje teatrore, panele diskutimi dhe ngjarje promovuese për dramaturgë dhe artistë të rinj.
Programi do të hapet me shfaqjen “Lule Sajza”, prodhim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, e cila do të pasojë me një performancë unike të grupit polifonik “Bashkimi” në ceremoninë zyrtare të hapjes. Dita e parë do të përfundojë me premierën e shfaqjes “Fausti”, e prodhuar nga Teatri Kombëtar i Shqipërisë.
Më 30 tetor, diskutimi “Peisazhi teatror në Shqipërinë post-komuniste” do të jetë në fokus, duke ofruar një platformë për reflektim mbi zhvillimet e fundit në teatër. Pas kësaj, do të shfaqet “Bottecchia” nga aktorët Ema Andrea dhe Rafael Hoxhaj, me regji nga Riccardo Ventrella, dhe muzika e Sevasti Ndinit. Në mbrëmje, shfaqja “Të gjashtët kundër Turqisë” do të sjellë një tjetër dimension të artit skenik.
31 tetori do të ofrojë mundësi unike për publikun që të ndërveprojë me aktorë të njohur në ngjarjen “Konsultimet Poetike”, duke vazhduar me një ditë të mbushur me shfaqje dhe panele diskutimi. Në këtë ditë, publiku do të shijojë shfaqjen “Të bardhët” dhe “Kamarja e Turpit” për të mbyllur ditën me një tjetër premierë.
Programi do të vazhdojë edhe më tej me një sërë punëtorish që do të udhëhiqen nga emra të njohur, si dramaturgu britanik Mark Ravenhill dhe kritikë të njohur nga Anglia dhe Gjermania, duke u ofruar pjesëmarrësve mundësi të shkëlqyera për zhvillim profesional dhe kreativ.
Pas gjashtë vjetësh mbajtjeje në Prishtinë, këtë vit ngjarja është zgjeruar në Shqipëri me qëllim të promovimit të skenës teatrore shqiptare, duke sjellë gjithashtu emra të njohur si Marco Giorgetti dhe Julia Wissert, të cilët do të kontribuojnë në këtë platformë ndërkombëtare.
Ngjarja e “Kosovo – Albania Theatre Showcase 2024” pritet të ofrojë një pasqyrë të pasur të teatrove në rajon, duke theksuar rëndësinë e kolaborimeve ndërkombëtare dhe inovacionit në artin skenik./UBTNews/
PROGRAMI I PLOTË I NGJARJES DHE INFORMACIONET E DËGJUESVE MUND TË GJENI KËTU