Orëndreqësi me origjinë nga Kosova që jeton dhe vepron në Zvicër, Rexhep Rexhepi, ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm duke fituar çmimin prestigjioz “Aiguille d’Or” gjatë ceremonisë madhështore të Grand Prix d’Horlogerie de Genève (GPHG).
Ky çmim, i cili konsiderohet si “Oscari” i industrisë së prodhimit të orëve, ishte i hapur për të gjitha kategoritë. Rexhepi triumfoi me modelin e tij “Chronograph Flyback”, duke pasuar gjigantin e industrisë Breguet që e kishte fituar atë një vit më parë.
Ora fituese dallon për përmasat elegante dhe fushën në ngjyrë blu të errët të punuar me teknikën tradicionale Grand Feu, e frymëzuar nga kronografët e vjetër të orëve të xhepit. Çmimi zyrtar i orës fituese është 150 mijë franga zvicerane, rreth 160 mijë euro, mirëpo vlera e saj në tregun e koleksionistëve pritet të jetë dukshëm më e lartë. Rexhepi e nisi karrierën e tij si praktikant 15-vjeçar te kompania e njohur Patek Philippe, ndërsa sot udhëheq markën e tij të pavarur në Gjenevë.

Në këtë edicion të GPHG-së garuan 84 orë dhe mekanizma kohorë në 14 kategori të ndryshme. Fituesit u përzgjodhën nga një juri ndërkombëtare ekspertësh, ku për herë të parë organizatorët hoqën ndarjet gjinore duke prezantuar kategori të reja teknike si Essential Watch dhe Complication Watch.
