Përfaqësuesja e Kosovës në volejboll për femra ka arritur fitoren e parë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, duke mposhtur bindshëm Algjerinë me rezultatin 3:0 në sete.
Volejbollistet kosovare treguan dominim gjatë gjithë përballjes së të premtes. Seti i parë u mbyll me shifrat 25:19, ndërsa në dy setet vijuese Kosova kontrolloi tërësisht lojën, duke i lënë kundërshtaret në vetëm 10 pikë në setin e dytë dhe 14 në të tretin.
Kjo fitore vjen pas disfatës 3:0 që Kosova pësoi përballë Greqisë të enjten mbrëma. Pjesë e të njëjtit grup janë edhe Maqedonia e Veriut e Turqia, ndërsa në grupin tjetër garojnë Italia, Bosnjë-Hercegovina, Egjipti dhe Serbia.
Ky është suksesi i parë për delegacionin e Kosovës në “Taranto 2026”, ku vendi po përfaqësohet me gjithsej 163 sportistë. /E.A/
