Sot futbolli i Kosovës feston një moment historik, 10-vjetorin e pranimit në FIFA, ditën kur Federata e Futbollit e Kosovës u bë anëtarja e 210-të e shtëpisë më të madhe të futbollit botëror.
Ky përvjetor jubilar shënon fundin e një rruge të gjatë plot sakrifca dhe fillimin e një epoke të re, duke kurorëzuar përpjekjet e shumë gjeneratave që e mbajtën gjallë futbollin tonë edhe në kohët më të vështira.
Në këtë ditë të veçantë, FFK ka kujtuar me mirënjohje të thellë kontributin e jashtëzakonshëm të legjendës Fadil Vokrri dhe të gjithë bashkëpunëtorëve që bënë të mundur këtë triumf diplomatik e sportiv.
Një falënderim i veçantë i është drejtuar edhe presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për mbështetjen dhe miqësinë e vazhdueshme që ka treguar ndaj Kosovës gjatë këtij rrugëtimi njëdekadash.
Sot, pas dhjetë vitesh, institucioni i futbollit është modernizuar, infrastruktura po zhvillohet vazhdimisht, ndërsa ekipet kombëtare dhe klubet tona po e përfaqësojnë me dinjitet shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke vazhduar përpara me krenari dhe përgjegjësi për të ardhmen e sportit më të popullarizuar në vend.
