Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar dje stërvitjen e parë në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet miqësore ndaj Çekisë dhe Andorrës. “Dardanët” kanë nisur grumbullimin me atmosferë pozitive, energji të re dhe fokus të plotë në përgatitjet e radhës.
Nga kampi i Kombëtares bëhet e ditur se futbollisti Lumbardh Dellova është liruar nga grumbullimi për shkak të lëndimit të pësuar në ndeshjen e fundit me klubin e tij CSKA Sofia ndaj Ludogorets. Pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar frakturë në shputën e këmbës, ndërsa rikuperimi i tij pritet të zgjasë më shumë se kohëzgjatja e këtij kampi.
Ndërkohë, për arsye personale, në këtë grumbullim nuk do të jetë i pranishëm as Edon Zhegrova.
Nga ana tjetër, nga data 28 maj, ekipit do t’i bashkohet Betim Fazliji, futbollist i St. Gallen, i cili rikthehet në fanellën e Kosovës pas një kohe të gjatë.
Kombëtarja e Kosovës do t’i vazhdojë nesër përgatitjet në Kampin Nacional në Hajvali, me seancën stërvitore të planifikuar në ora 11:30.
