UBT News

Kosova në skenën e madhe, “Shame and Money” debuton në Sundance

Kinematografia kosovare ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.

Filmi më i ri i Visar Morina, “Shame and Money”, është përzgjedhur për premierën botërore në Sundance Film Festival, një nga festivalet më prestigjioze të filmit në botë. Ky është një moment i veçantë, pasi për herë të dytë Morina merr pjesë në kategorinë kryesore të festivalit, një arritje e rrallë për një regjisor nga Kosova.

“Shame and Money” sjell historinë e një familjeje kosovare që, pasi humbet mënyrën e jetesës në fshat, detyrohet të shpërngulet në Prishtinë, ku përpiqet të përshtatet me ritmin e shoqërisë hiperkapitaliste të sotme.

Në kast marrin pjesë; Astrit Kabashi, Flonja Kodheli, Kumrije Hoxha, Fiona Gllavica, Alban Ukaj, Aria Shala, Riga Morina, Melika Gashi, Selman Lokaj, Teuta Hajdini, Abdinaser Beka, Rebeka Qena, Tristan Halilaj, Basri Lushtaku, Rafet Abazi, Besnik Krapi e Eshref Durmishi.

Filmi është prodhuar nga Vicky Bane dhe kompania Schuldenberg Films, ndërsa producentët përfshijnë Fabian Altenried, Sophie Ahrens, Kristof Gerega, Pia Hellenthal dhe vetë Visar Morinën.

Bashkëprodhimi realizohet falë bashkëpunimit të disa kompanive nga rajoni dhe Evropa, përfshirë Eagle Eye Films (Kosovë), Vertigo Ljubljana, On Film Production, List Production dhe Quetzalcoatl.

Filmi është mbështetur nga institucione të rëndësishme kulturore dhe fonde ndërkombëtare si Qendra Kinematografike e Kosovës, Eurimages, German Federal Film Fund, Slovenian Film Centre, North Macedonia Film Agency dhe sistemi belg i Tax Shelter.

Lajmi u mirëprit edhe nga kryeministri Albin Kurti, i cili e publikoi njoftimin në Facebook, duke shkruar: “Urime regjisorit Visar Morina, aktorëve dhe gjithë ekipit krijues nga Kosova që po e çojnë punën e tyre në këtë skenë prestigjioze të filmit”.

Biletat për premierën në Sundance do të jenë në shitje më 14 janar. Detaje të mëtejshme mund të gjenden në faqen zyrtare të festivalit ose në profilin e tij në Instagram. /A.Z/UBT News/

 

 

Exit mobile version