UBT News

Kosova në Cannes me filmin “Dua”: Një rrëfim për vitet ’90 dhe rezistencën përmes syve të një adoleshenteje

Festivali prestigjioz i Cannes hap sot dyert për edicionin e tij të 79-të, duke rikthyer në vëmendje historinë e Kosovës. Këtë vit, shteti më i ri i Evropës përfaqësohet me filmin “Dua”, nën regjinë e Blerta Bashollit, i cili do të ketë premierën botërore në kuadër të “Javës së Kritikës” (Semaine de la Critique).

Filmi trajton dramën e një 13-vjeçareje në fundvitet ’90, një periudhë e shënuar nga tensionet etnike dhe spastrimi etnik në Evropë. Përmes syve të Duas, publiku do të përjetojë transformimin e një adoleshenteje në mes të pasigurisë, ku sporti i xhudos nuk vjen thjesht si disiplinë, por si një masë mbrojtëse ndaj represionit të asaj kohe.

“Pritjet janë shumë të mira dhe jemi shumë të lumtur që do të jemi pjesë e Cannes. Ky është një moment i rëndësishëm për ne dhe për të gjithë ekipin,” u shpreh producenti i filmit, Valon Bajgora, pak para nisjes për në Francë.

Sipas axhendës, ekipi i filmit do të ketë premierën gala të mërkurën në orën 17:30, ndjekur nga takime me profesionistë të industrisë dhe media ndërkombëtare. Bashkëprodhimi mes Kosovës, Zvicrës dhe Francës bazohet në përvojat personale të regjisores Basholli, duke sjellë një ndjeshmëri të lartë njerëzore në ekranin e madh.

Në këtë seksion të festivalit, “Dua” garon përkrah produksioneve nga Jemeni, Meksika, Kina e Irlanda. Ndërkohë, festivali i sivjetmë udhëhiqet nga juria me kryetar regjisorin koreano-jugor Park Chan-wook, ndërsa në ceremoninë hapëse do të nderohet me çmim special regjisori Peter Jackson.

Ky rrugëtim i “Duas” në Cannes nuk është vetëm një sukses kinematografik, por edhe një mundësi që historia e dëbimit dhe vrasjes së civilëve në Kosovë të dëshmohet përmes artit në një prej skenave më të rëndësishme botërore.

 

Exit mobile version