Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kanë marrë vendim këtë të mërkurë, 15 prill 2026, për ndalimin e menjëhershëm të importit të bagëtive të imta nga i gjithë territori i Shqipërisë. Ky vendim vjen si masë mbrojtëse pas konfirmimit të rasteve të sëmundjes virale PPR (Peste des Petits Ruminants) në Qarkun e Dibrës.
Për të parandaluar përhapjen e këtij infeksioni në territorin e Kosovës, autoritetet kanë kërkuar nga komunat në brezin kufitar që të vendosin masa strikte për kufizimin e lëvizjes së bagëtive në kullosat kufitare.
Fermerëve u bëhet thirrje që të mbajnë nën mbikëqyrje të rreptë tufat e tyre dhe të shmangin çdo kontakt me kopetë nga Shqipëria, ndërsa policia kufitare do të rrisë kontrollet në të gjitha pikat kalimtare.
AUV ka lëshuar një udhëzim për fermerët, duke kërkuar rritjen e masave të biosigurisë përmes këtyre veprimeve: shmangia e lëvizjeve të panevojshme të kafshëve, mosblerja e bagëtive pa certifikatë shëndetësore, kufizimi i kontakteve me tufa të tjera dhe raportimi i menjëhershëm te veterineri i çdo shenje të dyshimtë si ethe, rrjedhje nga hundët apo diarre.
Sëmundja PPR është një infeksion viral shumë ngjitës që prek delet dhe dhitë, duke shkaktuar temperaturë të lartë dhe në raste të rënda edhe ngordhjen e kafshëve. Megjithatë, autoritetet theksojnë se ky virus përhapet vetëm mes kafshëve dhe nuk paraqet asnjë rrezik për shëndetin e njerëzve.
