Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka mbyllur edicionin e pestë të Ligës së Kombeve me një humbje të rëndë 3:0 në udhëtim ndaj Irlandës, në takimin e zhvilluar të martën mbrëma në Dublin.
Pikë kthese e ndeshjes rezultoi të jetë minuta e 26-të, kur mbrojtësi Kreshnik Hajrizi u ndëshkua me karton të kuq pasi ndali topin me dorë në vijën e portës. Nga pika e bardhë, Troy Parrott shënoi për 1:0 në minutën e 28-të. Ndonëse Kosova e nisi më mirë takimin përmes rasteve të Lindon Emërllahut dhe Vedat Muriqit, ky 11-metërsh dhe largimi i Hajrizit ndryshuan plotësisht rrjedhën e lojës.
Në pjesën e dytë, irlandezët thelluan epërsinë përmes një tjetër penalltie të realizuar përsëri nga Parrott në minutën e 50-të (pas një ndërhyrjeje të portierit Aro Muriq), ndërsa rezultatin përfundimtar 3:0 e vulosi Jack Moylan në minutën e 75-të me një goditje të saktë me kokë.
Me këtë humbje, Kosova e mbyll Grupin B3 në vendin e tretë me gjashtë pikë, duke siguruar megjithatë mbetjen në Ligën B për edicionin e ardhshëm. Austria e fitoi grupin me 12 pikë pas barazimit 1:1 me Izraelin, ndërsa Irlanda u rendit e dyta me tetë pikë, duke siguruar plejofin për Ligën A dhe një vend në vazon e dytë për shortin e kualifikimeve të “Euro 2028”. Izraeli përfundoi i fundit me katër pikë.
Për shkak të këtij renditjeje, Kosova do të pozicionohet në vazon e tretë për shortin e kualifikimeve të Kampionatit Evropian, i cili do të tërhiqet më 6 dhjetor. Përkundër mungesave dhe disfatës së thellë në ndeshjen e fundit ku u aplikua sistemi 5-3-2, “Dardanët” arritën objektivin kryesor të ruajtjes së statusit në Ligën B. /E.A/
