Përfaqësuesja e Kosovës në karate ka arritur një rezultat të shkëlqyer në Kampionatin Ballkanik të zhvilluar në Stamboll të Turqisë, duke grumbulluar gjithsej 10 medalje, prej të cilave një e artë, tri të argjendta dhe gjashtë të bronzta.
Dita e fundit e garave solli tri medalje të bronzta në konkurrencën ekipore. Ekipi i djemve për kadetë, ekipi i vajzave për kadete si dhe ekipi i djemve për juniorë arritën të ngjiten në podiumin e fituesve duke siguruar medalje të bronzta për Kosovën.
Në garat individuale, suksesin më të madh e shënoi Emira Maqedonci, e cila u kurorëzua kampione e Ballkanit duke fituar medaljen e artë. Me medalje të argjendta u nderuan Suela Arifi, Qëndresa Ibrahimi dhe Prijam Gashi, ndërsa medaljet e bronzta në konkurrencën individuale i rrëmbyen Alea Kelmendi, Krenar Ismajli dhe Amar Daku.
Rezultati i arritur në Stamboll rikonfirmon ngritjen e karatesë kosovare në arenën rajonale, me federatën, trajnerët dhe sportistët që morën urime të shumta për përfaqësimin dinjitoz të flamurit të Kosovës. /E.A/
