Qyteti i Korçës, vijon të tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas edhe të huaj, të cilët gjejnë mjaftë tërheqëse klimën, bukuritë dhe traditën kulturore të këtij qyteti në juglindje të vendit.
Bashkia Korçë bën të ditur për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) se mbi 30 000 vizitorë, 65% e të cilëve turistë të huaj, vizituan qytetin dhe fshatrat turistik të tij, gjatë periudhës janar – qershor 2021.
Akomodimi i turistëve është realizuar si në mënyrën moderne (hotele) ashtu edhe në atë tradicionale (bujtina) që kanë ofruar sipas bashkisë shërbime cilësore për pushuesit.
Aktualisht në qytetin e Korçës kapaciteti i shtretërve shkon në 2 980 persona ndërsa numri i strukturave akomoduese arrin në 111 (83 hotele dhe 29 bujtina).
Kapacitetet akomoduese në qarkun e Korçës vitet e fundit janë shtuar edhe me 20 njësi të reja (hotele dhe bujtina) duke ofruar më shumë shtretër dhe kushte komode për pushuesit.
Korça është kthyer në një prej destinacioneve turistike më të frekuentuara në Shqipëri, që mirëpret fluks vizitorësh në çdo stinë të vitit. Kjo ka sjellë edhe nevojën për rritjen e kapaciteteve akomoduese, duke krijuar kështu një trend në ndërtimin e bujtinave dhe hoteleve të cilat pozicionohen kryesisht në zonat karakteristike të qytetit. Janë vetë qytetarët e Korçës ata të cilët i kanë kthyer banesat karakteristike korçare në bujtina pritëse për turistët. Ajo çfarë i bën aq shumë të dashura bujtinat është ruajtja e stilit origjinal të ndërtimit por edhe arredimi me elementë karakteristik tradicionalë.
Korça është një destinacion mjaft interesant për t’u vizituar pasi në stinën e dimrit të ofron mjaft alternativa argëtimi në fshatin e Dardhës dhe Voskopojë, gjithashtu në këtë zonë gjenden edhe një sërë veprash antike, si bazilikat, mozaikët etj. Ndërsa në verë, kima e freskët dhe piktoreske është një relaks më vete.
Vizitorët vendas dhe të huaj që vizitojnë Korçën kanë mundësi të orientohen lehtësisht në muzeumet, institucionet publike, parqet dhe vendet e tjera të vizitueshme në qytet. Në çdo kohë, turistët mund të vizitojnë të gjitha atraksionet turistike, të përfshira në turin e qytetit për të cilat orientohen lehtësisht, pasi janë vendosur tabela informuese. Ndërsa investimet në vepra publike kanë shtuar komoditetin e shëtitjeve në parke dhe ambiente të ndryshme historike kulturore që ofron ky qytet.