UBT News

Koordinimi për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”: Krerët e olimpizmit mblidhen në Shqipëri

Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli, ka pritur në një takim pune krerët e institucioneve olimpike të rajonit dhe më gjerë, me qëllim koordinimin e përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Në këtë takim morën pjesë Presidenti i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” dhe njëherësh President i Komitetit Olimpik të Maltës, Julian Pace Bonello, Sekretari i Përgjithshëm i ICMG-së, Iakovos Filippousis, Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, zëvendëspresidenti Milaim Kelmendi, si dhe këshilltari i Ministrit të Sportit të Kosovës, Drilon Brahimi.

Takimi u zhvillua në kuadër të inspektimeve për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030, ku qyteti i Durrësit do të ketë një rol mbështetës përmes organizimit të të gjitha garave të sporteve ujore.

Gjatë bashkëbisedimit, Fidel Ylli prezantoi ecurinë e sportit shqiptar dhe reformat e KOKSH-it gjatë viteve të fundit. Nga ana e tij, Julian Pace Bonello vlerësoi bashkëpunimin strategjik për realizimin e suksesshëm të lojërave, ndërsa Sekretari i ICMG-së, Iakovos Filippousis, vuri në dukje kontributin në forcimin e raporteve mes institucioneve olimpike në rajon.

Në fund, Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, çmoi përkrahjen e ofruar nga Shqipëria, duke theksuar se bashkëpunimi mes Prishtinës dhe Durrësit synon të shënojë një kapitull të ri për sportin mesdhetar.

 

 

Exit mobile version