Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, e ka cilësuar si vëllazëror takimin me homologen e tij nga Shqipëria, Elisa Spiropali.
Në një konferencë për media, Konjufca theksoi se pritet thellim i mëtejshëm i bashkëpunimit politik, ekonomik dhe diplomatik mes dy vendeve.
“Takime vëllazërore që e ndajnë fatin e përbashkët historik. Presim thellim mëtejmë të bashkëpunimit politik dhe ekonomik në diplomaci të përbashkët”, tha ai.
Nga ana e saj, Spiropali nënvizoi se Kosova mbetet prioritet i politikës së jashtme të Shqipërisë dhe se Tirana do të intensifikojë lobimin për njohje të reja të shtetit kosovar.
Ajo gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e një trajtimi të drejtë dhe të paanshëm të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke theksuar se lufta në Kosovë ka qenë për liri dhe jo për pushtet.
“Drejtësi e plotë dhe pa shkelje të standardeve ndërkombëtare. Nuk mund të injorohet fakti se në Kosovë ka pasur spastrim etnik… Lufta e Kosovës nuk ishte për pushtet, por për liri”, tha Spiropali.
Gjatë vizitës, ministrja e Jashtme e Shqipërisë paralajmëroi gjithashtu mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë sivjet, ku do të diskutohen marrëveshjet e nënshkruara më parë, prioritetet e përbashkëta dhe mundësitë për marrëveshje të reja.
“Biseduam për takimin e përbashkët të dy qeverive dhe besojmë se brenda vitit 2026 do të mbahet një mbledhje në Shqipëri ose Kosovë, ku do të diskutohen të gjitha marrëveshjet e mëparshme, fushat me interes të përbashkët dhe të gjitha prioritetet që po implementohen, por edhe mundësitë për marrëveshje të reja”, tha Spiropali.
Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë kanë mbajtur deri tani tetë mbledhje të përbashkëta. E nënta, e planifikuar për 14 qershor 2023, ishte anuluar njëanshëm nga Tirana. /Kosovapress/
