UBT News

Konjufca nga Haga: Shkelje brutale të të drejtave të njeriut, verdikti të jetë në përputhje me lavdinë e UÇK-së

“Shpresojmë që verdikti të jetë në përputhje me historinë dhe lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Glauk Konjufca, para Gjykatës Speciale në Hagë, ku pas pak, ish-krerët e luftës do të thonë fjalët e tyre përfundimtare.

Para gazetarëve, Konjufca, të mërkurën, theksoi se në procesin gjyqësor ndaj katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka pasur shkelje brutale të të drejtave të njeriut. Siç tha ai, është mohuar e drejta që personi të gjykohet brenda një kohe të arsyeshme, raporton KosovaPress.

“Është dita e fundit e këtij procesi, i cili zgjati kaq shumë, e procesit të gjykimit të katër drejtuesve të UÇK-së. Njëri prej tyre, Thaçi, ishte president i Kosovës; Jakup Krasniqi e Kadri Veseli ishin kryetarë të Kuvendit të Republikës sonë, kurse Rexhep Selimi ishte gjeneral i UÇK-së dhe udhëhoqi grupin parlamentar në Kuvendin e Kosovës. Tashmë ata e kanë marrë një ndëshkim të padrejtë, sepse procesi zgjati aq shumë sa që unë pretendoj, dhe të gjithë pretendojmë së bashku, se u shkel e drejta elementare e njeriut, e cila mbrohet edhe me Konventën e Kombeve të Bashkuara, edhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe me Kushtetutën tonë. Kjo është e drejta që personi të gjykohet brenda një kohe të arsyeshme. Kjo e drejtë, ma merr mendja, u shkel në mënyrë të rëndë, sepse janë bërë pesë vite e tre muaj që këta drejtues të UÇK-së mbahen të izoluar, larg familjeve dhe shtetit të tyre. Ka qenë shkelje brutale e të drejtës për të pasur gjykim brenda një kohe të arsyeshme”, tha ai.

“Ne e kemi pasur gjithmonë kritikën tonë për këtë gjykatë, se ishte gjykatë njëetnike dhe se fokusin e kishte padrejtësisht te UÇK-ja. Unë jam këtu për të konfirmuar edhe njëherë se lufta jonë, lufta e popullit të Kosovës, ishte luftë e drejtë. Ka qenë luftë e pastër, luftë mbrojtëse; nuk ka qenë qëllimi i saj sulmi ndaj asnjë populli tjetër. Targeti i vetëm i uniformave të UÇK-së ishte policia dhe ushtria serbe, forcat e uniformuara okupatore që kryen gjenocid në Kosovë, që vranë fëmijë, gra e pleq dhe që mbytën mbi 12 mijë qytetarë të Republikës sonë. Këtë të vërtetë nuk ka asnjë institucion që mund ta ndryshojë”, shtoi ai. /Kosovapress/

 

Exit mobile version