Komisioni parlamentar për Legjislacion, kryesuar nga kryetari Adnan Rrustemi, ka takuar sot ministrin e Drejtësisë të Shqipërisë, Ulsi Manja, me të cilën bëhet e ditur se është diskutuar edhe për procesin e vetingut.
Manja vlerësoi se “me Kosovën kemi plot rrugë të përbashkëta në fushën e drejtësisë për të bërë këtë vit, që kanë nisur edhe prej takimit të fundit të dy qeverive në Elbasan”.
“Sot, me Adnan Rrustemin, kryetarin e komisionit parlamentar të Ligjeve, diskutuam dhe ndamë përvojën e Vetingut, situatat, pengesat, problematikën. Kosova do të kalojë nga rruga ku eci Shqipëria. Unë shpresoj dhe uroj, që rruga e tyre të jetë më e shpejtë dhe më e shtruar, edhe duke u mbështetur në përvojën dhe eksperiencën tonë”, tha Manja.
Ministri Manja shprehu kënaqësinë që ky delegacion kishte në përbërje çdo forcë politike të Kosovës.
“Kjo më bën entuziast se Kosova nuk do të hasë aq pengesa e shkopinj nën rrota nga politika në udhëtimin e saj të reformës”, tha Manja.