Pas komenteve antisemitike të reperit Kanye West, pati një reagim të menjëhershëm, megjithëse ai njihet për deklarata të tilla të diskutueshme.
Markat e njohura të modës sikurse Balenciaga dhe Adidas, si dhe gjiganti bankar, JP Morgan ndërprenë bashkëpunimin me 45-vjeçarin, i cili ligjërisht ndryshoi emrin e tij në Ye vitin e kaluar.
Cilat ishin komentet e tij të fundit?
Në fillim të këtij muaji, West përmes disa postimeve në Twitter kërcënoi hebrenjtë.
“Unë jam pak i përgjumur sonte, por kur zgjohem do të shkoj me vdekje 3 Për HEBRENJËT”, ka shkruar ai mes tjerash, para se t’i fshiheshin postimet.
Kjo deklaratë e tij erdhi pasi ai përmes një storie akuzoi producentin diskografik Sean “Diddy” Combs se kontrollohej nga “populli hebre”.
Cili ishte reagimi?
Shumë njerëz i dënuan komentet e West dhe madje edhe disa marka janë distancuar prej tij.
Adidas i dha fund partneritetit fitimprurës me yllin dhe njoftoi se prodhimi i linjës popullore Yeezy do të ndalet menjëherë. Dhe kësisoj ai doli nga lista e miliarderëve të Forbes.
Kompania e veshjeve Gap Inc, e cila ndërpreu partneritetin me West gjatë muajit shtator, po ndërmerr gjithashtu hapa të menjëhershëm për të hequr produktet Yeezy Gap nga dyqanet e saj. Edhe agjencia e talenteve CAA dhe shtëpia e modës Balenciaga e braktisën reperin.
Shefi ekzekutiv i Spotify, Daniel Ek tha se komentet e West ishin “të tmerrshme”, por se këngët e tij do të mbesin në platformë.
Pas një incidenti në një zyrë të korporatës Skechers në Los Angeles, West u largua nga objekti për shkak se vizita e tij ishte “pa paralajmërim”. Në një deklaratë, kompania amerikane e këpucëve tha se ai ishte paraqitur dhe ishte përfshirë në “xhirim pa autorizim”. Edhe Madame Tussauds në Londër ka hequr figurën nga dylli të tij.
Po ashtu Westit iu kufizuan postimet, komentet dhe mesazhet në Instagram, si dhe iu bllokua llogaria në Twitter.
Në kundërpërgjigje të saj, ai tha se do ta blejë platformën Parler, e cila “iu ofron liri të shprehjes përdoruesve”.
Edhe ish-gruaja e tij, Kim Kardashian ka dënuar komentet e reperit, duke shkruar në Instagram dhe Twitter se: “Gjuha e urrejtjes nuk është kurrë në rregull e as nuk arsyetohet. Unë qëndroj së bashku me komunitetin hebre dhe bëj thirrje që t’i jepet fund dhunës dhe retorikës së urrejtjes ndaj tyre”./UBTNews/