UBT News

KOK-u ftohet në Athinë për të diskutuar vonesat e Lojërave Mesdhetare 2030

Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka ftuar Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) në një takim zyrtar në Athinë, më 3 dhe 4 dhjetor, ku do të shqyrtohen vonesat dhe ngecjet e deritanishme në procesin e organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Sipas njoftimit të zyrës për informim të KOK-ut, pas përfundimit të takimeve në Greqi, drejtuesit e komitetit do të raportojnë para Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” lidhur me diskutimet e zhvilluara dhe hapat e mëtejmë që duhet të ndërmerren.

Pavarësisht sfidave dhe vonesave aktuale, KOK-u ka rikonfirmuar vendosmërinë që kjo ngjarje madhore sportive të mbahet në Kosovë, duke bërë thirrje për mobilizim të përbashkët institucional.

“Komiteti Olimpik i Kosovës mbetet plotësisht i përkushtuar që Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 të mbahen në Kosovë. Suksesi i LM Prishtina 2030 do të varet nga përkushtimi i të gjitha institucioneve të përfshira”, thuhet në reagimin e KOK-ut.

Takimi i fillimit të dhjetorit në Athinë vlerësohet vendimtar për të analizuar gjendjen reale të përgatitjeve dhe për të përcaktuar dinamikën e ardhshme të punëve për projektin më të madh sportiv të planifikuar ndonjëherë në vend. /E.A/

Exit mobile version