Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, beson se skuadra e tij ka aftësi për ta arritur një rikthim tjetër të ëndërruar kundër Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve të mërkurën, duke thënë se asgjë nuk është e pamundur kur krijon shumë raste shënimi.
Barcelona ka udhëtuar drejt Parisit për ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales të mërkurën, e vetëdijshme se i duhet ta kapërcejë një mal për ta arritur çerekfinalen, duke qenë se e ka humbur 4:1 ndeshjen e parë në shtëpi, raporton Gazeta Express.
Prandaj, Barçës i nevojitet të paktën një fitore 4:0 në Parkun e Princave për ta arritur një tjetër përmbysje të rrallë kundër francezëve.
Katalonasit e kishin arritur një rikthim historik kundër PSG-së në sezonin 2016/17, me rezultatin më të thellë në Ligën e Kampionëve deri tani, duke e fituar 6:1 ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales, pasi ndeshjen e parë e kishte humbur 4:0 në udhëtim.
Trajneri holandez ka shpresa se historia mund të përsëritet.
“Shpresoj se do jetë ndryshe nga ndeshja e parë, por do të varet nga mënyra sesi e nisim ndeshjen, po ashtu do të varet sesa shumë energji do të shpenzojnë në përpjekje për t’ia bërë të vështirë jetën kundërshtarit”, tha Koeman.
“Ata ishin vrastarë para portës sonë në ndeshjen e parë dhe ne duhet të jemi të tillë në këtë ndeshje. Ne jemi ekip që gjithmonë mund të krijojë raste. Nëse jemi vrastarë para portës, asgjë nuk është e pamundur”, theksoi ai.
Ai shtoi: “PSG-ja është e fortë dhe synon ta fitojë Ligën e Kampionëve. Ne duhet të bëjmë paraqitje të madhe për ta arritur kualifikim me rikthim”.