UBT News

Klubet e Ligës Premier kërkojnë shitjen e detyruar të Manchester Cityt pas shkeljeve financiare

Pronarët e Manchester Cityt duhet të detyrohen ta shesin klubin si ndëshkim për shkeljen e rregullave financiare, vlerësojnë figurat kryesore të disa klubeve të Ligës Premier, raporton transmetuesi publik britanik BBC.

Drejtues të klubeve nga tri kategoritë e para të futbollit anglez kanë deklaruar se një masë e tillë do të ishte e duhura, pasi Manchester City u shpall fajtor për shkelje të rregulloreve financiare të Ligës Premier në periudhën 2009–2018, si dhe për mosbashkëpunim me hetimin.

Paneli i pavarur ende nuk ka marrë vendimin përfundimtar për sanksionet, të cilat mund të përfshijnë gjoba financiare, zbritje pikësh, heqjen e titujve të fituar më parë, apo edhe përjashtimin nga liga. Nga ana tjetër, klubi anglez i ka mohuar akuzat dhe e ka apeluar vendimin.

Një nga drejtuesit, duke folur në kushte anonimiteti për BBC, u shpreh se bën pjesë në një grup klubesh që besojnë se çdo dënim tjetër do të ishte i pakuptimtë nëse pronarët aktualë nuk detyrohen të largohen. Sipas tij, një ndëshkim më i lehtë do të ngrinte pikëpyetje mbi arsyen se pse klubet financojnë Autoritetin e Pavarur Rregullator të Futbollit (IFR).

Një drejtues tjetër theksoi se këto shkelje kanë dëmtuar rëndë besueshmërinë e Ligës Premier dhe se klubet e tjera nuk do të mund ta kalojnë këtë skandal nëse pronarëve aktualë u lejohet të mbeten në krye të Cityt.

Manchester City u shpall fajtor për rritje artificiale të të ardhurave dhe fshehje të humbjeve në vlerë prej mbi një miliard eurosh përmes kontratave fiktive tregtare. Klubi është në pronësi të kompanisë private të investimeve Abu Dhabi United Group, e udhëhequr nga Sheikh Mansour, Zëvendëspresident dhe Zëvendëskryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe. /E.A/

 

Exit mobile version