Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka bërë të ditur se Andorra pritet të jetë kundërshtarja e radhës e “Dardanëve” në ndeshjet miqësore të muajit qershor. Takimi parashihet të zhvillohet mbrëmjen e 7 qershorit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ndonëse e njëjta datë përkon me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, i pari i FFK-së ka sqaruar se procesi zgjedhor nuk do të jetë pengesë për zhvillimin e lojës. Ademi theksoi se orari i ndeshjes nuk ndryshon, pasi takimi fillon pas mbylljes së vendvotimeve dhe është i paraparë brenda datave zyrtare të FIFA-s, siç raporton Koha.
“Jemi në kontakte me zyrtarët e Federatës së Andorrës dhe besoj se ata do të jenë një nga kundërshtarët tanë. Nuk ka nevojë për ndryshim të datës, pasi ndeshja nis kur zgjedhjet tashmë kanë përfunduar,” deklaroi Ademi për Kohën.
Ky cikël miqësoresh vjen pas një rrugëtimi emocionues të Kosovës në muajin mars, ku ekipi ishte shumë pranë kualifikimit për Botërorin 2026. Pasi mposhtën Sllovakinë me rezultat 4:3 në Bratislavë, “Dardanët” u ndalën në finale të plejofit nga Turqia, që triumfoi 1:0 në Prishtinë.
Këto ndeshje do t’i shërbejnë përzgjedhësit Franco Foda si përgatitje finale për edicionin e ri të Ligës së Kombeve, që nis në shtator. Kosova, e promovuar për herë të parë në Ligën B, ndodhet në një grup sfidues me Austrinë, Irlandën dhe Izraelin, ndërsa fushatën e hap më 24 shtator si nikoqire e Irlandës. /KOHA/
