Kisha e Shën Nikollës, një nga xhevahiret e gjerdanit të monumenteve të kulturës në Voskopojë po i nënshtrohet restaurimit të plotë, ku një sfidë më vete është rilindja e afreskeve të dëmtuar.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në kuadër të turit të takimeve që po zhvillon në Korçë pa nga afër sot punimet për restaurimin e kësaj kishe.
Rama tha se janë 4 kisha, të gjitha dëshmi të qytetërimit, artit dhe rëndësisë së madhe historike e kulturore të Voskopojës që do ti nënshtrohen restaurimit.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se se synojmë që këto 4 kisha ti kthejmë në muze.
“Ne po shikojmë mundësinë e bashkëpunimit me universitete apo shkolla të huaja. Katër kishat kemi arritur ti vendosim në programet me donatorët”, tha ajo.
Në Voskopojë, vijoi më tej Margariti, ka patur një numër të lartë aplikimesh për ngritjen e bujtinave.
Edhe artizanati po merr rëndësi gjithnjë e më të madhe në Korçë, me punime dore të zonjave korçare që po e trashëgojnë këtë traditë të bukur edhe tek brezat e rinj, në funksion edhe të rritjes së kërkesës prej zhvillimit të turizmit.
Kryeministri Rama u ndal në një nga shtëpitë e cila është shndërruar në hapësirë për mbështetjen e grave të zonës që merren me punë dore.
Në këtë shtëpi mblidhen punët dorës së grave të zonës dhe më pas shiten për turistët.
Rama informoi se qeveria po shikon mundësinë e krijimit të një skeme për mbështetjen e zejtarëve.
“Ne duam të krijojmë një model të posaçëm në rrjetin e artizanatit në të gjithë Shqipërinë. Po shikojmë mundësinë se si ti stimulojmë financiarisht dhe prurjen e të rinjve dhe rejave, duke shfrytëzuar bërthama si kjo, që ti mbështesim financiarisht për vend pune, dhe të krijohen punishte që funksionojnë për të marrë zejet, pa taksa”, tha Rama./ATSH