UBT News

Kirurgu vaskular Krasniqi rekomandon personat pas moshës 55 vjeçare: Bëni një ultrazë për arteriet, mund t’ju shpëtojnë jetën

Kirurgu vaskular, Halil Krasniqi ka dhënë një këshillë të rëndësishme për të gjithë personat mbi moshën 55-vjeçare gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i cili mbështetet nga United Hospital.

Sipas tij, kontrolli i arterieve përmes ultrazërit është jetik në këtë grupmoshë, pasi mund të zbulojë në kohë ndryshime të rrezikshme që nëse nuk trajtohen mund të çojnë në pasoja fatale.

“Është e rëndësishme që mbi moshën 55-vjeçare të bëhet një ultrazë. Me ultrazë nuk shkaktohet dhimbje, janë vetëm 5 minuta kohë që mund të shohësh nëse është apo jo e zgjeruar (arteria). Pastaj vijnë ekzaminimet tjera”, Krasniqi.

Ai shtoi se përmes këtij ekzaminimi, mjekët mund të identifikojnë herët proceset patologjike dhe të vendosin për trajtimin e duhur.

“Pacienti duhet të shikohet me ultrazë që nga koka, sepse truri, koka dhe zemra janë më të rëndësishmet. Bëhet një ultrazë nga lart deri poshtë dhe bëjmë një ultrazë të qafës. Në qafë shihet arteria e cila furnizon trurin me gjak, këtu shihen edhe gjëndrat tiroide, limfatike, ndryshimet tjera morfologjike”, ka thënë Krasniqi.

Ushqimi i pashëndetshëm dhe ndikimi në shëndetin vaskular, kirurgu Halil Krasniqi tregon se çfarë duhet të dimë?

Sipas studimeve të fundit siç tha Krasniqi kontrolli me ultrazë e ul me mbi 50 për qind vdekshmërinë tek kjo kategori e popullatës.

Në rastet kur zbulohet zgjerim i arterieve mbi 5 cm, trajtimi mund të bëhet me procedurë minimale invazive – pa ndërhyrje kirurgjikale klasike.

“Nëse kalon mbi 5 cm, fillon trajtimi me stentim, pa operacion. Bëhen vetëm dy shpuarje në ije dhe vendoset stenti – dhe njeriu mbijeton”, shpjegoi kirurgu vaskular, Halil Krasniqi.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:

#43: Shëndeti në rend të parë - kirurgu vaskular, Halil Krasniqi

Exit mobile version